Turqia kryen sulme vdekjeprurëse në verilindje të Sirisë

Sulmet turke në brendi të territorit të Sirisë. Fotografi nga arkivi.

Nga sulmet turke në verilindje të Sirisë, që kontrollohet nga kurdët, janë vrarë 29 pjesëtarë kurdë të personelit të sigurisë dhe janë plagosur 28 të tjerë, thanë autoritetet lokale më 9 tetor.

Turqia ka kryer sulme ajrore në këtë që nga java e kaluar, duke goditur caqe civile dhe ushtarake, por edhe infrastrukturë, sulme që sipas autoriteteve kurde kanë shkaktuar viktima.

Në deklaratën e lëshuar nga autoritetet kurde u tha se gjatë natës janë goditur disa caqe dhe se “29 anëtarë të forcave kundër drogës janë vrarë dhe 28 janë plagosur”, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë monitoruese me seli në Britani – ka raportuar se janë vrarë 30 anëtarë të forcave të brendshme të sigurisë kurde, që njihen si Asajish, dhe 37 të tjerë janë plagosur, pasi një avion luftarak turk goditi në qendër trajnuese në periferi të Al-Malikijas.

SHIKONI EDHE: Turqia sulmon rebelët kurdë pas sulmit vetëvrasës në Ankara

Javën e kaluar, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se ka nisur një valë të re të sulmeve ajrore në kundërpërgjigje ndaj një sulmi në Ankara që u krye më herët gjatë muajit, ku u plagosën dy policë.

Dega e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) – që Ankaraja dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë shpallur organizatë terroriste – mori përgjegjësinë për sulmin me bombë në Ankara.

Turqia po ashtu ka kryer sulme ndaj pozicioneve të PKK-së në veri të Irakut disa orë pas sulmit të 1 tetorit në Ankara, përderisa ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se sulmuesit “erdhën nga Siria dhe ishin trajnuar atje”.