Turqia kryen sulm me dron në veri të Irakut

Një autokolonë e ushtrisë turke duke kaluar kufirin me Irakun. Fotografi nga arkivi.

Turqia ka kryer një sulm me dron, në veri të Irakut më 17 shtator, duke vrarë të paktën tre luftëtarë.

Luftëtarët e vrarë i përkisnin Njësive për Rezistencën në Sinjar (YBS), një milici e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), thanë burimet irakiane të sigurisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Luftëtarët e YBS-së ishin duke lëvizur me një makinë në zonën e Sinjarit kur u goditën me dron.

SHIKONI EDHE: Raportohet se Turqia ka arrestuar mbi 100 persona “të lidhur me militantët kurdë”

Për një kohë të gjatë, Turqia kryen një fushatë në Irak dhe Siri kundër militantëve të PKK-së, YBS-ë dhe Njësisë siriane për Mbrojtjen e Popullit (YPG). Këto tri organizata, Ankaraja i konsideron grupe terroriste.

Turqia rregullisht kryen sulme ajrore në veri të Irakut dhe ka dhjetëra post-blloqe në territorin irakian. Ditëve të fundit, Ankaraja ka intensifikuar sulmet me dronë në Irak, duke shënjestruar caqe afër zonave urbave dhe rrugëve kyçe.