Erdogan sërish kundër rritjes së normave të interesit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, insistoi se Qeveria e tij kundërshton ngritjen e normave të interesit, teksa inflacioni në shtet ka arritur në nivelin më të lartë në pothuajse 25 vjet.

“Kjo Qeveri nuk do të rrisë normat e interesit. E kundërta, do t’i ulë ato”, tha Erdogan gjatë një adresimi televiziv të hënën pas mbledhjes së Qeverisë.

Banka Qendrore e Turqisë, që në parim është institucion i pavarur, do të mbajë mbledhjen e radhës më 23 qershor për të përcaktuar politikat e reja.

Por, deklaratat e Erdoganit vijnë pasi të dhënat zyrtare treguan se inflacioni në Turqi arriti në 73.5 për qind në maj, që është niveli më i lartë që nga viti 1998.

SHIKONI EDHE: Inflacioni në Turqi arrin nivel rekord

Për dallim nga ekonomistët, Erdogan është i bindur se normat e larta të interesit nxisin inflacionit dhe nuk e frenojnë atë.

Turqia po përballet me krizë ekonomike që prej vitit të kaluar kur Erdogan, i cili vitin e ardhshëm përballet me zgjedhje, ushtroi presion mbi Bankën Qendrore për të ulur normat e interesit.