Turqia thotë se po punon në zgjatjen e marrëveshjes për drithërat

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ankaraja po punon shumë për të zgjasë nismën e mbështetur nga OKB-ja, që i ka mundësuar Ukrainës të eksportojë drithëra nga portet e bllokuara nga Rusia, pas nisjes së pushtimit.

Nisma për drithërat në Detin e Zi, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e kaluar, lejon eksportet nga tri porte ukrainase.

Marrëveshja u zgjat deri në nëntorin e vitit të kaluar, por skadon më 18 mars, nëse palët nuk arrijnë pajtim për zgjatjen e saj.

“Ne po punojmë fort për zbatimin dhe zgjatjen e mëtejme të marrëveshjes për drithërat në Detin e Zi”, tha Cavugoslu gjatë konferencës për shtetet e zhvilluara të OKB-së, që po mbahet në Doha të Katarit.

SHIKONI EDHE: Rusia kushtëzon marrëveshjen për drithërat me heqjen e sanksioneve

Po ashtu, kryediplomati i Turqisë tha se për zgjatjen e kësaj marrëveshjeje do të diskutojë edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Më herët gjatë kësaj jave, Rusia tha se do të pajtohej për ta zgjatur marrëveshjen për drithërat vetëm nëse interesat e saj për prodhimet e agrikulturës merren në konsideratë.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe ka bllokuar portet në Detin e Zi, që janë vitale për eksportet e drithërave. Rusia dhe Ukraina janë ndër prodhueset më të mëdha në botë të drithërave.