Turqia kërcënon me bllokim Zërin e Amerikës dhe mediat e tjera ndërkombëtare

Logo e Zërit të Amerikës.

Autoriteti mbikëqyrës i mediave në Turqi i ka dhënë afat prej 72 orësh tri agjencive ndërkombëtare të lajmeve që të marrin licencë për operim, ose në të kundërtën qasja në platformat e tyre do të bllokohet.

Ilhan Tasci, deputet opozitar, kritikoi këtë vendim të Këshillit Suprem për Radio dhe Televizion (RTUK). Ky këshill ka kërkuar nga ueb-faqet në gjuhën turke të Zërit të Amerikës, të transmetuesit gjerman, Deutsche Welle, dhe të Euronews të bëjnë kërkesë për licencë. Sipas Tasci, ky vendim shënon një sulm të mëtejmë ndaj lirisë së medias në Turqi.

“Vendimi u mor me shumicë të votave, që të jepet 72 orë afat për marrjen e licencës për ueb-faqet amerikaninsesi.com, dw.com/tr, dhe tr.euronews.com”, tha Tasci, që është një prej nëntë anëtarëve të bordit të RTUK-së.

Bordi i Këshillit Suprem për Radio dhe Televizion, që dominohet nga partia në pushtet Partia AK, nuk ka komentuar lidhur me kërkesën për licencë operimi.

Në vitet e fundit, Turqia ka rritur mbikëqyrjen e mediave, duke i dhënë më shumë fuqi këtij këshilli për mbikëqyrjen e të gjithë përmbajtjes online. Ky këshill po ashtu ka fuqi që të largojë përmbajtjen e mediave. Rreth 90 për qind e transmetuesve mediatik në Turqi tani ose janë në pronësi të shtetit, ose janë të afërta me Qeverinë.

Tasci tha se qëllimi kryesor i RTUK-së është liria e medias.

Shtetet perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar Qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan, se po përdor puçin e dështuar të vitit 2016 si pretekst për të shuar zërat kritikë. Por, Qeveria e Turqisë e mohon këtë akuzë, duke thënë se masat janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të sigurisë me të cilat përballet Turqia.