Në përvjetorin e tretë të përpjekjes për puç në Turqi, autoritetet turke e paralajmëruan Kosovën për, siç thanë, rrezikun e lëvizjes së klerikut fetar turk, Fethullah Gulen.
Ankaraja e fajëson lëvizjen e tij “Hizmet” për grushtshtetin e dështuar, më 15 korrik të vitit 2016.
Ajo u kërkoi autoriteteve në Kosovë që të mos lejojnë që kjo strukturë, e cila, siç u tha, fshihet prapa maskave të pafajshme, “t’i përsërisë në Kosovë të këqijat që i ka bërë në Turqi”.
Ambasadori turk në Kosovë, Çagri Sakar, tha se Kosova nuk duhet të lejojë që kjo organizatë, e cila “nuk është më pak e rrezikshme se (grupi militant) Shteti Islamik, t’i shndërrojë fëmijët kosovarë në armiq të këtij vendi”.
SHIKONI EDHE: Kush janë gylenistët?Ai i bëri këto komente të dielën mbrëma në Prishtinë, përpara shfaqjes së dokumentarit “The Network: Fytyra e Errët e Gylenistëve”, i shërbimit publik turk, TRT World. Shfaqja u organizua nga Shoqata e Turqve të Kosovës në Prishtinë.
Në një tjetër ceremoni të hënën, në rezidencën e ambasadorit, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, Sakar tha se, deri më tash, nga 20 shtete janë dëbuar 110 persona, nën dyshimet se kanë qenë pjesë e lëvizjes së Gulenit.
Ai po ashtu theksoi se Turqia i fton për bashkëpunim të gjitha vendet, ku vlerësohet se vepron kjo organizatë.
“Ky nuk është hap pozitiv vetëm për Turqinë, por edhe për vendet tjera që të pastrohen nga terrorizmi”, tha Sakar.
Video nga arkivi: Trysnia ndaj Gylenit edhe në Kosovë
Your browser doesn’t support HTML5
Pacolli nuk iu drejtua pjesëmarrësve, ndërsa përveç tij, ngjarjen e ndoqën edhe përfaqësues politikë të komuniteteve turke dhe boshnjake.
Yagcilar: Turqia e qëndrueshme, për një rajon të qëndrueshëm
Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, njëherësh udhëheqës i partisë më të madhe turke në Kosovë, KDTP, tha se nata e 15 korrikut, 2016, ka qenë “një natë e zezë”, porse në orët e hershme të 16 korrikut “ka lindur një epokë e re dhe ka triumfuar demokracia”.
Ai tha se qëndrueshmëria e Turqisë, aq sa është e rëndësishme për Turqinë, është e rëndësishme edhe për rajonin.
”Qëndrueshmëria e rajonit tonë është e rëndësishme edhe për qëndrueshmërinë e Evropës dhe botës. Rajoni duhet të pastrohet nga të gjitha organizatat terroriste dhe të mbrohet nga përpjekjet për terrorizëm dhe puç”, tha ai.
Kosova, në mars të vitit të kaluar, ka arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët kanë punuar në shkollën private Mehmet Akif.
Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të lëvizjes “Hizmet” të Gulenit.
SHIKONI EDHE: Prokuroria interviston numër të madh të të dyshuarve për dëbimin e shtetasve turqPor, arrestimi dhe dëbimi i tyre janë tashmë lëndë e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.
Më 15 korrik të vitit 2016, fraksione në kuadër të ushtrisë turke kanë përdorur tanke, avionë luftarakë dhe helikopterë, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Mbi 250 njerëz janë vrarë dhe mbi 2,000 janë plagosur në përleshjet që kanë ndodhur atë natë.
Gulen, ish-aleat i Erdoganit, e ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për puç, përkundër akuzave të Ankarasë.