Turistët u kthehen maleve të Kosovës

Bogë, Rugovë. Fotografi nga arkivi.

Mëngjesin e së enjtes, më 15 korrik, Sharka Valentia nga Çekia dhe dy shoqet e saj, filluan ecjen në bjeshkët e Rugovës.

Të pajisura me mjetet e nevojshme për alpinizëm dhe të shoqëruara nga udhërrëfyesi Fatos Katazolli, që është pjesë e Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK), ato janë duke shijuar bukuritë që ofron Rugova.

“Pamjet janë mahnitëse dhe moti po ashtu është i mirë”, tha Sharka Valentia për Radion Evropa e Lirë.

Kosovë: Sharkia Valentia, turiste nga Çekia, duke shijuar malet e Rugovës, e shoqëruar nga guida Fatos Katazolli (15 korrik 2021)

Kjo është hera e parë që ajo viziton Kosovën dhe thotë që nuk do të jetë e fundit. Përveç turizmit malor, ajo thotë se i intereson edhe kultura në Kosovë.

“Ne kemi ardhur dje. Kemi vizituar Pejën. Jemi duke planifikuar po ashtu të shkojmë në Prishtinë dhe në Prizren. Dëshirojmë të provojmë të gjitha ushqimet tradicionale që përgatiten këtu. Po kënaqemi. Është një vend i ri, i paeksploruar”, tha ajo.

Fatos Katazolli nga Unioni i Turizmit të Kosovës, çdo verë shoqëron turistët që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se numër më i madh i turistëve ka filluar të vërehet pasi Qeveria e Kosovës bëri lehtësimin e masave kundër COVID-19. Sipas tij, vitin e kaluar, kompanitë turistike që merren kryesisht me turizëm malor, nuk kanë punuar fare, pasi nuk kishte turistë për shkak të pandemisë së koronavirusit që kishte paralizuar këtë sektor. Ai tregon se këtë vit nuk kanë pritur numër kaq të madh të turistëve.

"Një vit e gjysmë nuk kemi punuar. Tash ka rritje mjaft të madhe. Pritjet tona kanë qenë për këtë vit që së paku 30 ose 40 për qind të vitit 2019 të vijnë, por siç po duket, nëse vazhdon kështu, do të kalojmë 50 për qind të turistëve që kemi pasur dy vjet më herët", tha Katazolli.

Ai tha se turistët që vijnë nga vende të ndryshme, përveç turizmit malor, janë të interesuar edhe për kulturën në Kosovë.

"Kryesisht për turizmin malor janë turistët nga Evropa Perëndimore, nga Gjermania, Anglia si dhe edhe nga Amerika, derisa për turizëm malor janë nga vendet arabe”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Pandemia si virus i turizmit 

Mungesa e turistëve mbylli shumë biznese në vitin 2020

Për dallim nga Peja dhe turizmi malor i saj, në kryeqytet e ndiejnë mungesën e turistëve.

Jeton Latifi nga Prishtina, ka pesë vjet që e ka hapur bujtinën e tij në qendër të Prishtinës. Por thotë se vitin e kaluar biznesi i tij ka rrezikuar të mbyllet si pasojë e pandemisë nga COVID-19.

“Vitin e kaluar u mbyllën kufijtë edhe dihet si ka qenë situata katastrofale. Shumë biznese si i yni kanë falimentuar. Ne kemi mbijetuar me forcat tona, me vetëfinancim kemi mbuluar shpenzimet tona dhe na ka zënë edhe në disa pjesë të investimeve dhe është dashur të marrim borxhe, kredi për të mbijetuar. Mirëpo, për sivjet po shpresojmë që do të këndellet gradualisht", tha Latifi.

Ai tregoi se ndonëse masat janë liruar dhe qarkullimi i njerëzve është më i madh, puna me turistë ende nuk është e kënaqshme.

“Në muajt e fundit, vërehet një lëvizje e lehtë e turistëve, që është një numër i vogël i turistëve e që rrjedhimisht nuk është diçka që na ndihmon ne të rikuperojmë dëmet që kemi pësuar vitin e kaluar", tha Latifi.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë pranuar të flasin për çështjen e turizmit.

SHIKONI EDHE: Turizmi, një sektor i zhytur në humbje 

Turizmi i varur nga vaksina

Dëmet në turizmin ndërkombëtar, për shkak të pandemisë, mund të shkaktojnë humbje të më shumë se 4 trilionë dollarëve në bruto-produktin e brendshëm, në nivel global për vitet 2020 dhe 2021, është thënë në një raport të publikuar më 30 qershor nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim.

Humbjet vlerësohet se janë rezultat i efektit të drejtpërdrejtë që ka pasur pandemia në turizëm dhe në sektorët e lidhur me të.

Ky raport i prezantuar bashkë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror, ka treguar se turizmi ndërkombëtar dhe sektorët e lidhur ngushtë me të, janë përballur me humbje prej 2.4 trilionë dollarësh më 2020, për shkak të uljes së numrit të udhëtimeve të turistëve.

Humbje të ngjashme mund të raportohen edhe këtë vit, paralajmëron raporti, duke theksuar se rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të varet nga shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit, në nivel botëror.

SHIKONI EDHE: OKB: Turizmi global humbi 320 miliardë dollarë në pesë muaj