"Tuneli i fundit" me emra pa fund
"Tuneli i fundit" është ekspozita e hapur në Prishtinë për të përkujtuar vajzat dhe gratë e vrara në Kosovë si pasojë e dhunës mbi baza gjinore. Ekspozita është hapur në kuadër të fushatës së Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore" dhe është organizuar nga organizatat SIT, UNFPA, UN WOMEN.
Nënshkrimi në Librin e Kujtimeve, në përkujtim të vajzave dhe grave të vrara si pasojë e dhunës mbi baza gjinore.
Ekspozita është pjesë e fushatës së Ministrisë së Drejtësisë “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore".
Në Kosovë në 6 ditët e fundit janë shënuar dy raste të vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre.
Në kuadër të fushatës "16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore", janë paraparë aktivitete të shumta në të gjithë vendin me synim sensibilizimin kundër dhunës ndaj grave e vajzave.
Në këtë ekspozitë janë prezantuar emrat e grave të vrara si pasojë e dhunës mbi baza gjinore.
Emrat e viktimave, të vrara nga dhuna mbi baza gjinore në Kosovë.
Një grua duke fotografuar emrat e grave të vrara.
Në mesin e disave është edhe emri i 18-vjeçares, Marigona Osmani, e cila u vra në gusht të vitit 2021 në Ferizaj.
Diana Kastrati e Antigona Morina, po ashtu të vrara nga dhuna mbi baza gjinore.
Nga këto raste, disa nga viktimat kishin urdhër për mbrojtje. Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.
Marigona Osmani e Sebahate Sopi.
Dafina Zhubi e Armenda Aliu.
Lirije Qerimaj e Donjeta Pajazitaj.
Albesa Rudi e Flora Omuri.
Hatije Dina e Feride Prokshi.
Sabile Mavrovqani e Valbona Marku.
Arianita Zahiti e Sevdije Berisha.
Qytetarët vizitorë të ekspozitës nënshkruhen në përkujtim të vajzave dhe grave të vrara si pasojë e dhunës mbi baza gjinore.
Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.