Trupi i Navalnyt do të mbahet edhe dy javë për “analiza kimike”, thotë ekipi i tij

Qirinj vendosen pranë një fotografie të politikanit rus Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus javën e kaluar, në Paris, Francë, 19 shkurt 2024.

Familjes së Alexei Navalny, kritikut të presidentit rus Vladimir Putin që vdiq në një burg rus, i është thënë se trupi i tij nuk do të lirohet edhe dy javë.

Nëna e tij është njoftuar se trupi i tij po mbahet për “analiza kimike”, ka thënë një përfaqësues i ekipit të Navalnyt.

Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e tij, pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

SHIKONI EDHE: Gruaja e Navalnyt: Do ta vazhdoj luftën e burrit tim për një Rusi të lirë

Në një video të postuar të hënën, Navalnaya u zotua se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj për një Rusi të lirë.

Ajo e ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e bashkëshortit të saj.

“Ne e kemi ditur saktë pse Putin e ka vrarë Aleksin tri ditë më parë”, tha ajo.

Autoritetet e burgut në Arktik njoftuan të premten për vdekjen e Navalnyt.

Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

SHIKONI EDHE: BE-ja zotohet se do ta mbajë Putinin përgjegjës për vdekjen e Navalnyt

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.