Presidenti amerikan, Donad Trump, e ka përshkruar Kinën dhe Rusinë si rivalë, të cilët duhet të konfrontohen me “fuqi të pakonkurrencë” dhe i ka bërë thirrje Kongresit për t’i përmirësuar “të metat fundamentale” në marrëveshjen madhore atomike ndërmjet fuqive botërore dhe Iranit.
Këto komente ai i ka bërë mbrëmë vonë në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, në seancën e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Fjalimi i gjatë afro 80 minuta ishte i përqendruar kryesisht në çështjet e brendshme amerikane, siç janë ndërtimi i infrastrukturës së dëmtuar të vendit, reformimi i politikave të imigrimit, e të tjera.
Por, megjithatë ai është përqendruar edhe në sfidat madhore të politikës së jashtme, me të cilat ballafaqohen Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kuadër, ai u është referuar “regjimeve të papërgjegjshme, grupeve terroriste dhe rivalëve si Kina e Rusia, që i sfidojnë interesat, ekonominë dhe vlerat” amerikane.
“Derisa ne e ndërtojmë forcën e Amerikës dhe besimin në shtëpi, ne po ashtu, e ripërtërijmë fuqinë dhe qëndrimin tonë jashtë. Në gjithë botën, ne ballafaqohemi me regjime të papërgjegjshme, grupe terroriste dhe rivalë si Kina e Rusia, që i sfidojnë interesat tonë, ekonominë dhe vlerat tona. Në konfrontim me këto rreziqe të tmerrshme, ne e dimë se butësia është rruga më e sigurt në konflikt dhe fuqia e pakonkurrencë është mënyra më e sigurt për mbrojtjen tonë të madhe dhe të vërtetë”, tha presidenti Trump.
Mëtutje ai theksoi se “për këtë arsye, kërkon nga Kongresi përfundimin e shkurtimit në mbrojtje dhe plotësisht të financohet ushtria jonë e madhe”.
Në këtë aspekt ai ka shpjeguar:
“Si pjesë e mbrojtjes sonë, ne duhet ta modernizojmë dhe rindërtojmë arsenalin tonë atomik, me shpresë se kurrë nuk do të duhet ta përdorim, por për ta bërë aq të fuqishëm sa që do ta zmbraps çfarëdo akti të agresionit nga çfarëdo vendi ose ndokush tjetër”, tha Donald Trump dhe ka shtuar:
“Me gjasë një ditë në të ardhmen, do të vijë një moment magjik kur vendet e botës do të bashkohen për eliminimin e armatimit të tyre atomik. Për fat të keq ne ende nuk jemi atje, mjerisht”, tha Donald Trump.
Mëtutje, Donald Trump, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan për ta kaluar legjislacionin për përmirësimin e marrëveshjes atomike të vitit 2015, i cili mundëson tërheqje të sanksioneve paralizuese ekonomike perëndimore kundër Iranit.
Trump, po ashtu, ka theksuar se “zhvillimi i papërgjegjshëm” i raketave atomike i Koresë Veriore, shumë shpejtë mund të paraqes kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se Uashingtoni po zhvillon një fushatë “të presionit maksimal” kundër Koresë Veriore dhe ambicieve për armatim atomik, derisa Phenianin e ka quajtur “diktaturë mizore”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur se e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për ta mbajtur të hapur burgun ushtarak të sigurisë së lartë në Guantanamo Bej të Kubës.
“Në të kaluarën, ne në mënyrë të pamençur i kemi liruar qindra terroristë të rrezikshëm, vetëm për t’i takuar ata prapë në fushëbetejë, përfshirë liderin e ISIS-it, al-Baghdadi”, tha Trump.
Al-Baghdadi ishte zënë në Irak nga forcat amerikane dhe ishte mbajtur në një burg afër Bagdadit. Në vitin 2004, ai u ishte dorëzuar autoriteteve të Irakut, të cilat e kishin liruar atë më vonë.
Fjalimet për Gjendjen e Unionit zakonisht përcillen me kundërshtim ose përgjigje, nga partia politike, përfaqësuesi i së cilës nuk është në Shtëpinë e Bardhë.
Në komentet që janë transmetuar direkt nga shumë rrjete televizive, anëtari i Dhomës Përfaqësuese nga Partia Demokratike, Joe Kennedy, e ka kritikuar Trumpin për mbjellje të ankthit dhe frikës në mesin e shumë amerikanëve.
“Do të ishte lehtë të refuzohej ky vit i kaluar si kaos. Si gjë njëpartiake. Si politikë. Por, është shumë më tepër se kjo. Kjo administratë nuk po e merr në shënjestër vetëm legjislacionin që na mbron neve, ata po e marrin në shënjestër vetë idenë se ne të gjithë jemi të vlefshëm për mbrojtje”, tha Joe Kennedy.
Zoti Kennedy është anëtari i fundit i njërës nga dinastitë më të njohura politike në Shtetet e Bashkuara, që ka zyre publike. Ai është nip i ish-senatorit dhe prokurorit të përgjithshëm, Robert F. Kennedy, dhe stërnip i ish-presidentit amerikan, John F. Kennedy.