FBI po heton “atë që duket të jetë një tentim për të vrarë” Trumpin

West Palm Beach, Florida, më 15 shtator.

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) tha se të shtënat pranë klubit të golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “duket se ishin një atentat” ndaj tij.

“FBI-ja i është përgjigjur incidentit në Floridë dhe e heton atë që duket të jetë tentim për të vrarë ish-presidentin Trump”, u tha në një deklaratë.

Paraprakisht, ekipi i fushatës së Trumpit dhe Shërbimi Sekret amerikan thanë se kandidati republikan për president të SHBA-së është i sigurt.

Një person i dyshuar është ndaluar nga autoritetet amerikane lidhur me këtë rast.

Gjatë një konference për media, shefi i Policisë në Palm Beach, Ric Bradshaw, tha se sulmuesi i dyshuar kishte një pushkë të stilit AK, dy çanta krahu që i kishte vendosur në gardhin e klubit të golfit dhe një kamerë GoPro.

Ish-presidenti amerikan kishte qenë duke luajtur golf të dielën, kur ndodhi incidenti.

Bradshaw tha se i dyshuari ishte afër 450 metra larg nga Trumpi dhe ishte fshehur në një shkurre, teksa Trumpi po luante golf. Në çantat e krahut ai kishte pllaka qeramike, tha Bradshaw, duke shtuar se janë duke kontrolluar të gjitha gjërat që kanë gjetur të të dyshuarit.

Një agjent i Shërbimit Sekret që ishte në fushën e golfit, pak më larg nga vendi ku Trump po luante, e pa një grykë pushke që ishte vendosur te gardhi i fushës dhe menjëherë hapi zjarr, tha Bradshaw.

Agjenti qëlloi katër deri në gjashtë fishekë, një zyrtar i Shërbimit Sekret tha. I dyshuari u largua, por një dëshmitar fotografoi targat e makinës së tij dhe ia dha policisë.

Zëdhënësi i Policisë në Florida, Teri Barbera, tha se vetëm një person është i dyshuar dhe ai është duke u marrë në pyetje, duke shtuar se autoritetet ende nuk kanë informacione për motivin.

Prokurori shtetëror në Florida, Dave Aronbeg, tha se prokurorët po punojnë që të sigurojnë dokumentet e duhura që personi i dyshuar të paraburgoset. Sa i përket akuzës, ai tha se i dyshuari fillimisht do të ngarkohet në nivel të shtetit të Floridës, por ai mund të akuzohet edhe për krime federale.

Më herët, Shërbimi Sekret amerikan tha se po hetonte incidentin që kishte ndodhur i pak para orës 14:00, sipas kohës lokale.

"Ish-presidenti është i sigurt", tha Shërbimi Sekret.

Kandidati republikan për nënpresident, JD Vance, postoi në X se ka biseduar me Trumpin pasi u njoftua për incidentin dhe tha se ai është në gjendje të mirë.

Vance shtoi se ende ka "shumë gjëra që nuk dimë" për incidentin.

Shtëpia e Bardhë tha më herët se presidenti Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris - njëherësh kandidatja e demokratëve për presidente - janë informuar për incidentin. Shtëpia e Bardhë shtoi se të dy kanë shprehur lehtësim pasi kanë mësuar se Trump është mirë.

Dy muaj më parë, Trump ishte cak i një atentati teksa po merrte pjesë në një tubim zgjedhor në Pensilvani dhe një plumb e plagosi lehtë në vesh.

SHIKONI EDHE: Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

Ish-presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të SHBA-së, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.

Masat e sigurisë për kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.