Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e ka abuzuar seksualisht shkrimtaren, E.Jean Carroll, në vitet 1990, dhe më pas ka shpifur duke e quajtur gënjeshtare, ka thënë një juri e madhe në Shtetet e Bashkuara.
E ashtuquajtura juri e madhe përbëhet prej një grupi të qytetarëve, të cilëve ligji u jep autoritet për të hetuar shkeljet e mundshme penale të një pandehuri, dhe të vlerësojnë nëse duhet ndëshkuar ai.
Juria ka pasur detyrë që të vendosë nëse Trump e ka dhunuar, abuzuar seksualisht, apo e ka prekur Caroll-in, pa dëshirën e saj.
Një juri prej tetë anëtarëve në gjykatën federale në Manhatan, ka thënë se Trump duhet t'i paguajë shkrimtares një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Ndonëse gjetjet për abuzim seksual kanë qenë të mjaftueshme, juria nuk ka gjetur që Trump e ka dhunuar atë.
Trump nuk ka qenë prezent në gjyqin, që ka nisur më 25 prill.
Carroll, 79-vjeçare, ka dëshmuar gjatë gjyqit civil se Trump, 76-vjeçar, e ka dhunuar në një dyqan në Manhatan më 1995 ose 1996, më pas ia ka prishur reputacionin duke shkruar në rrjetin e tij social, Truth Social, në tetor të vitit 2022, se pretendimet e shkrimtares janë gënjeshtra.
President në periudhën 2017-2021, Trump është në krye të sondazheve për të fituar nominimin e republikanëve në garën për president.
Në klimën aktuale politike në Shtetet e Bashkuara, tejet të polarizuar, ka pak mundësi që një vendim i tillë civil të ketë ndikim në bazën e mbështetësve të Trumpit.
Ata i shohin vendimet e tilla si përpjekje të kundërshtarëve të Trumpit për ta dëmtuar atë.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet presidenciale amerikane: Kush po garon e kush jo?Për shkak se rasti ka qenë civil, Trump nuk përballet me pasoja penale.
Kjo pasi Carroll ka qenë në kërkim të dëmshpërblimit monetar.