Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendet e tjera të NATO-s janë pajtuar t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje, pas kritikave që ua bëri në samitin në Bruksel.
Duke folur të enjten, pas një takimi urgjent të aleatëve, Trump tha se udhëheqësit e disa shteteve anëtare janë pajtuar që të arrijnë më shpejt cakun e shpenzimeve në mbrojtje, që është 2% e bruto-prodhimit vendor.
Aleatët e NATO-s, në vitin 2014, janë pajtuar që ta arrijnë këtë cak deri në fund të vitit 2024.
Trump tha se 33 miliardë dollarë shtesë do të shpenzohen në mbrojtje nga aleatët e NATO-s, “brenda një periudhe relativisht të shkurtër”.
Si rezultat i takimit të jashtëzakonshëm, Trump tha se NATO është tani “shumë e bashkuar dhe shumë e fuqishme”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ka pasur “përkushtim të qartë ndaj NATO-s” nga të gjithë ata që ndoqën sesionin e së enjtes.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se liderët e NATO-s janë pajtuar të bashkëpunojnë më shumë në funksion të ndryshimit të situatave të sigurisë.
Takimi urgjent u zhvillua pasi Trump i përsëriti kritikat ndaj aleatëve të NATO-s në lidhje me shpenzimet e tyre në mbrojtje dhe praktikat tregtare evropiane, në një sesion me dyer të mbyllura, i cili ka qenë e paraparë të përqëndrohet në sigurinë në rajonin e Detit të Zi.
Pas kritikave të Trumpit, liderët e NATO-s u kërkuan presidentëve të vendeve joanëtare, Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të largohen nga dhoma, në mënyrë që të mund të zhvillojnë bisedime vetëm me aleatët.
"U thashë njerëzve se do të isha shumë i pakënaqur nëse nuk do t’i rrisnin shpenzimet e mbrojtjes menjëherë”, tha Trump.
Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, i hodhi poshtë raportet se Trump kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do të dalin nga NATO-ja nëse shtetet e tjera anëtare nuk i rrisin menjëherë shpenzimet e tyre në mbrojtje.
Megjithatë, ajo konfirmoi se Trump ka insistuar se objektivat e shpenzimeve të NATO-s duhet të përmbushen më shpejt.
Trump tha pas sesionit emergjent se ai “ndoshta mund ta tërheqë SHBA-në nga NATO-ja pa miratimin e legjislaturës amerikane”, porse një veprim i tillë tani është “i panevojshëm” sepse aleatët e NATO-s janë pajtuar për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje “si kurrë më parë”.
Trump po ashtu shkroi në Twitter se vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë në mbrojtje 2% të bruto-prodhimit vendor menjëherë dhe jo deri në vitin 2025.
Më herët, ai u ka kërkuar aleatëve të NATO-s që të arrijnë 2-përqindëshin në shpenzime deri në fund të vitit 2024, por i ka befasuar homologët evropianë të mërkurën, kur ka kërkuar nga ta t’i dyfishojnë shpenzimet në 4% të bruto-prodhimit vendor.
Sipas statistikave të NATO-s, kjo është një pjesë më e madhe se ajo që Shtetet e Bashkuara paguajnë aktualisht.
Takimi urgjent i NATO-s e shtyu një sesion për luftën në Afganistan.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha më herët se pret që udhëheqësit e aleancës të pajtohen për rritjen e fondeve për forcat afgane edhe pas vitit 2020, si dhe të shprehin mbështetje të plotë për nismën e presidentit afgan, Ashraf Ghani, për paqe dhe reforma qeveritare.