Trudeau jep dorëheqje si kryeministër i Kanadasë

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se do të qëndrojë si kryeministër derisa Partia Liberale në pushtet ta zgjedhë liderin e vet të ri.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, njoftoi dorëheqjen të hënën, pas rritjes së pakënaqësive me udhëheqësin e tij dhe pasi largimi i papritur i ministres së tij të Financave vuri në pah rrëmujën brenda Qeverisë së tij.

Trudeau tha se “betejat e brendshme” nënkuptojnë se ai “nuk mund të jetë mundësia më e mirë” për zgjedhjet e ardhshme.

Ai tha se do të qëndrojë si kryeministër derisa Partia Liberale në pushtet ta zgjedhë liderin e vet të ri.

Trudeau tha se Parlamenti, i cili duhej ta rifillonte punën më 27 janar, do të pezullohet deri më 24 mars. Kjo kohë do t’ia mundësojë Partisë Liberale ta zgjedhë liderin e ri.

SHIKONI EDHE: Trudeau fiton zgjedhjet në Kanada, por jo edhe shumicën

Të gjitha tri partitë në opozitë kanë thënë se synojnë ta rrëzojnë Partinë Liberale nga pushteti përmes votës së mosbesimit sapo ta rifillojë punën Parlamenti, prandaj është pothuajse e sigurt mbajtja e zgjedhjeve në pranverë.

Trudeau erdhi në pushtet në vitin 2015, pas 10 vjetësh sundimi nga Partia Konservatore. Në fillim, ai u lartësua për rikthimin e vendit në të kaluarën e tij liberale.

Por, 53-vjeçari, pasardhësi i një prej kryeministrave më të famshëm të Kanadasë, është bërë jashtëzakonisht i papëlqyeshëm për votuesit vitet e fundit për një sërë çështjesh, përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe banimit, si dhe për shkak të numrit të madh të imigrantëve.

Trudeau ka qëndruar publikisht i heshtur javët e fundit, megjithëse është përballur me trysni të madhe për të dhënë dorëheqjen.

Ish-ministrja e Financave e Kanadasë, Chrystia Freeland, njoftoi dorëheqjen e saj nga kabineti i Trudeaut më 16 dhjetor, duke kritikuar disa nga prioritetet ekonomike të tij. Ky hap e tronditi vendin dhe ngriti pyetje se sa më gjatë mund të qëndronte në detyrë Trudeau, i cili po humbiste gjithnjë e më shumë popullaritet.

SHIKONI EDHE: Vazhdojnë protestat në Otavë kundër vaksinimit të detyrueshëm

Trudeau synonte të garonte edhe për mandatin e katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, pavarësisht pakënaqësive në rritje mes anëtarëve të Partisë Liberale. Së fundmi, partia pësoi disfatë në zgjedhjet speciale në dy distrikte në Toronto dhe Montreal, të cilat i kishte mbajtur për vite me radhë.

Asnjë kryeministër kanadez në më shumë se një shekull nuk i ka fituar katër mandate radhazi.

Dhe, sipas sondazheve të fundit, shanset e Trudeaut për sukses dukeshin të pakta. Në sondazhin e fundit nga Nanos, liberalët janë pas konservatorëve, 47% kundrejt 21%.

Gjatë gati një dekade në pushtet, Trudeau ka përqafuar një sërë kauzash të preferuara nga baza e tij liberale. Ai ka folur në favor të imigracionit në një kohë kur vendet të tjera po përpiqeshin t’i forconin kufijtë e tyre. Ai ka mbështetur diversitetin dhe barazinë gjinore, duke emëruar një kabinet të përbërë në mënyrë të barabartë nga burra dhe gra. Ai legalizoi kanabisin.

Përpjekjet e tij për të gjetur një baraspeshë midis rritjes ekonomike dhe mbrojtjes së mjedisit u kritikuan si nga e djathta ashtu edhe nga e majta.

Në Kanada vdiqën më pak njerëz nga COVID-19 krahasuar me vendet e tjera, dhe Qeveria e tij ofroi mbështetje të madhe financiare. Por, armiqësia u rrit mes atyre që kundërshtonin vaksinimin e detyrueshëm. Flamuj me emrin e Trudeaut dhe fyerje u bënë pamje e zakonshme në zonat rurale.

Një kombinim skandalesh dhe politikash të papëlqyeshme dëmtoi perspektivat e tij me kalimin e kohës.