Krijimi i një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor duhet të mirëpritet, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Por, sipas tyre, ky treg dhe hapësirat e përbashkëta ekonomike në rajon duhet të evitojnë çfarëdo mundësie që do të nënkuptonin kthimin në modelin e ish-Jugosllavisë.
Sipas tyre, tregjet e vendeve të rajonit janë të vogla dhe në këtë mënyrë nuk mund të jenë atraktive për investitorët ndërkombëtarë, andaj zgjerimi i tregut, vlerësohet në dobi të gjitha vendeve në këtë pjesë të Evropës.
Javën e kaluar, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian, kanë diskutuar çështjen e tregut të përbashkët dhe kanë nënshkruar në Trieste të Italisë, Traktatin e Komunitetit të Transportit.
Bashkimi Evropian thotë se qëllimi i këtyre samiteve ballkanike është forcimi i bashkëpunimit rajonal në mënyrë që të përshpejtohet integrimi i këtyre vendeve në BE.
Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se pas marrëveshjeve të arritura, Qeveria e Kosovës duhet të tregohet më e angazhuar, sa u përket grupeve punuese në nivel teknik. Ai thotë se duhet të mundësohet eliminimi i të gjitha barrierave më të cilat janë përballur prodhuesit edhe bizneset nga Kosova gjatë përpjekjeve të tyre për të eksportuar në vendet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA.
“Duke eliminuar disa nga barrierat përfshirë edhe kufijtë shtetëror të cilët shpeshherë kanë sjell në vete probleme të ndryshme të natyrave politike, mund t’i bëjë shtetet e Ballkanit Perëndimor të duken si një hapësirë e përbashkët ekonomike dhe rrjedhimisht të nxisin investimet e huaja direkt nëpër këto shtete”, thotë Zeka.
Ndërkaq, kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë, se krijimi i tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor do të jetë funksional, nëse në këtë kuadër nuk ndërhyn politika.
“Megjithatë, nëse Serbia pretendon të ketë primatin e Ballkanit Perëndimor, nëse është çështje politike, kjo nuk do të paraqiste interes për ne”.
“Nëse nuk dominon Serbia apo e ashtuquajtura, ‘Jugosllavi’ e e re, konsideroj se ky projekt do të jetë i mirëseardhur për të gjitha bizneset e Kosovës”, shprehet Hoxha.
Por, Hoxha shprehet skeptik se tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, do të mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë. Qytetarët dhe bizneset nga Kosova në këtë rast, kanë shumë barriera kur është në pyetje lëvizja e lirë, marrë parasysh edhe mungesën e liberalizimit të vizave.
Edhe vetë zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Prishtina ka argumentuar se kjo nuk mund të bëhet, për arsye se do ta kthenin një përbërje të mëhershme që ka qenë në këtë pjesë të Ballkanit.
Në rrethanat tjera, Arian Zeka thotë se asnjë traktat nuk do të ketë vlerën e tij, nëse të gjitha shtetet nuk u nënshtrohen rregullave të njëjta të lojës.
“Realisht, nëse Kosova nuk arrin që të eliminojë barrierat politike më të cilat shpeshherë përballen prodhuesit kosovarë, atëherë kurrfarë ideje e krijimit të hapësirave integruese ekonomike, qofshin ato tregjet e përbashkëta ose traktate të natyrave më specifike, siç është Traktati mbi Transportin ai mbi Energjinë, nuk mund të funksionojnë, po që se një shtet do të trajtohet në mënyrë më inferiore karshi shteteve të tjetra”, thotë Zeka.
Ideja për krijimin e një tregu të përbashkët është propozuar nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, në një takim më liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në muajin mars në Sarajevë, që është pjesë e procesit të Berlinit.
Ky treg, sipas tyre, do të zbuste edhe papunësinë e lartë në rajon, ku fillimisht do të hapeshin rreth 80 mijë vende të reja pune.