Tre të vrarë nga sulmet ruse në Donjeck

Rusia i vazhdoi sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës edhe më 22 gusht. (Fotografi nga arkivi).

Tre njerëz janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të martën vonë, si pasojë e bombardimeve ruse në disa fshatra në rajonin e Donjeckut në Ukrainë, tha Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës.

Sipas Prokurorisë, të tre personat, dy gra dhe një burrë, u vranë në fshatin Torske në mbrëmjen e 22 gushtit.

Ajo nuk dha hollësi të tjera rreth këtij sulmi.

SHIKONI EDHE: Ukraina e çliron një fshat strategjik, derisa sulmet vdekjeprurëse ruse ndaj civilëve po vazhdojnë

Ndërkohë, ushtria ukrainase tha gjatë ditës më 22 gusht se forcat e saj e çliruan një fshat strategjik në jug të vendit, pas dy muajve luftimesh të ashpra, por se Rusia i vazhdoi sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës, duke e vrarë të paktën një person dhe duke i lënduar disa të tjerë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se trupat ukrainase e çliruan Robotinin, një fshat që gjendet përgjatë një rrugë të rëndësishme e cila çon drejt Melitopolit në rajonin Zaporizhja.

Melitopoli, i njohur si “porta drejt Krimesë”, u uzurpua nga trupat ruse në mars të vitit të kaluar, pas disa ditësh luftime të ashpra.

SHIKONI EDHE: Shtatë të vrarë, përfshirë një fëmijë, e 90 të plagosur nga sulmi rus në Çernihiv

Ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë raportuan më herët më 22 gusht për disa sulme ruse me dronë dhe raketa në Çernihiv, Zaporizhja, Krivi Rih dhe Kupiansk.

Me vrasjen e dy grave dhe një burrit në Donjeck, numri i të vrarëve më 22 gusht nga sulmet ruse në Ukrainë, ka shkuar në të paktën katër.