Pesë të vrarë, 22 të plagosur në një sulm në kompaninë turke të mbrojtjes në Ankara

Ekipet e shpëtimit dhe forcat policore në vendin e ngjarjes së një sulmi në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, në Ankara, 23 tetor.

Një grup sulmuesish shpërtheu një bombë dhe shtinë me armë zjarri të mërkurën në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, duke i vrarë pesë njerëz dhe duke i plagosur disa të tjerë.

Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, tha se dy sulmuesit u vranë pas sulmit, duke shtuar se ka edhe të plagosur që janë në gjendje kritike.

"Fatkeqësisht, kemi pesë martirë dhe 22 të plagosur nga sulmi. Tre të plagosur janë liruar nga spitali dhe 19 të tjerë po marrin trajtim mjekësor", tha ai.

Yerlikaya tha se sulmuesit "ka shumë të ngjarë" që ishin anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, parti e ndaluar në Turqi.

"Stili i sulmit tregon se ka shumë gjasa që është kryer nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Sapo të kryhet identifikimi dhe provat e tjera të bëhen të qarta, do të ndajmë me ju informacione më konkrete", tha ai.

Militantët kurdë, grupi Shteti Islamik dhe ekstremistët majtistë kanë kryer sulme në këtë vend në të kaluarën.

Televizioni privat, NTV, raportoi se grupi i sulmuesve mbërriti në hyrje të ndërtesës së kompanisë me një taksi dhe se sulmoi personelin e sigurisë. Një nga sulmuesit e shpërtheu një bombë, ndërsa të tjerët ia dolën të futen brenda ndërtesës.

NTV-ja raportoi se të shtënat me armë brenda ndërtesës vazhduan dhe se disa punonjës mund të jenë marrë peng.

Pamjet nga kamerat e sigurisë gjatë sulmit, të transmetuara në televizion, shfaqën një burrë në rroba civile duke e mbajtur një pushkë në dorë dhe një çantë shpine.

Më herët, mediat raportuan se një shpërthim dhe të shtëna me armë u dëgjuan në ndërtesën e kompanisë dhe se punonjësit u dërguan në një vend të sigurt.

TUSAS prodhon avionë dhe helikopterë ushtarakë dhe civilë, si dhe sisteme dronësh për Forcat e Armatosura të Turqisë dhe për vende të tjera të botës.