Arrijnë në Kosovë tre policët që ishin në paraburgim në Serbi

Your browser doesn’t support HTML5

Momenti i kthimit të policëve të liruar në Kosovë.

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.

Pasi kaluan kontrollin serb, ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa u deklaruar për mediat që ishin të pranishme.

Të arrestuar nga forcat serbe qysh më 14 qershor, ata u liruan paraditen e së hënës, konfirmoi avokati i tyre, Gradimir Nalliq, për Radion Evropa e Lirë.

Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët - Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka - me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.

Nalliq tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.

Gjykata e Lartë në Kralevë - qytet në pjesën qendrore të Serbisë, ku po mbaheshin tre policët - konfirmoi po ashtu ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër tyre.

Fotografi e publikuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë ku pretendohej se duken tre policët e arrestuar nga forcat serbe.

Arrestimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.

Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, përkatësisht janë rrëmbyer, por në Serbi e mohuan këtë, duke thënë se policët kishin hyrë "thellë" në territorin e tyre.

Prishtina zyrtare: Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se "ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar".

"Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës", tha ai, duke u shprehur i gëzuar për kthimin e policëve te familjet e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha mes tjerash se lirimi i policëve "nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant të agresionit kundër Kosovës".

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri, "ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë".

"Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës", tha Sveçla, duke përsëritur se policët "kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës" kur janë arrestuar.

"Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës", tha Sveçla.

Ai, po ashtu, tha se gjendja shëndetësore e policëve "është relativisht e mirë".

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se "kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, por gjithsesi shumë i mirë".

"...sepse, e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim, dhe e dyta, rihap rrugën e deeskalimit e të dialogut", shkroi Rama në Twitter.

Komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhely, e përshëndeti gjithashtu lirimin e policëve.

Orban: E vlerësojmë hapin e Vuçiqit

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili, javën e kaluar, bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për rastin e tre policëve, tha se ai e ka informuar se, në përputhje me kërkesën që i ka bërë, autoritetet serbe do t’i lirojnë tre policët e Kosovës.

"Ne e vlerësojmë lart hapin e presidentit Vuçiq, i cili e ka marrë vendimin në një kohë të sfidave serioze. Ky vendim është dëshmi e pastër e bashkëpunimit strategjik mes shteteve tona dhe përkushtimit tonë të përbashkët për paqe dhe stabilitet në Ballkan", tha Orban përmes një postimi në Twitter.

Në takimin e mbajtur më 20 qershor, Orban tha se iu lut Vuçiqit që t’i lirojë tre zyrtarët policorë, duke thënë se "armiqtë e Serbisë janë të etur për ta dëmtuar Serbinë".

Tensione të larta

Qeveria e Kosovës shprehu bindjen se autoritetet serbe "i rrëmbyen" tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviq nga Policia e Kosovës, më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave atje të futen në objektet e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Këto objekte shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Your browser doesn’t support HTML5

Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

Bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar vazhdimisht nga Kosova që ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb.