Rajoni shikon me ankth trazirat në Kazakistan

Protestuesit djegin një veturë pranë zyrës së kryetarit të qytetit të Almatit më 5 janar 2022.

Në mëngjesin e 6 janarit, Rusia nisi dërgimin e trupave të parë në Kazakistan për të ndihmuar Qeverinë që të shtypë një valë të paprecedentë të trazirave dhe përleshjeve të armatosura në Almati, qytetin më të madh kazak.

Këto trupa janë pjesë e forcës “paqeruajtëse” të Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – një bllok ushtarak i udhëhequr nga Moska, ku Kazakistani bën pjesë – dhe u dërguan në Kazakistan me ftesën e presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, i cili kërkoi trupa gjatë një adresimi televiziv më 5 janar. Gjatë këtij adresimi, ai i quajti protestuesit “një bandë terroristësh ndërkombëtarë”, të cilët ai pretendon se ishin trajnuar jashtë vendit dhe po “minojnë integritetin e shtetit”.

Arritja e trupave ruse dhe bjelloruse, armene, taxhike dhe krigize, nën siglën e CSTO-së shënon një kapitull të ri të një krize në zhvillim të shpejtë, që ka kërcënuar Qeverinë autoritare në Kazakistan dhe ka lënë fqinjët autokratë – nga Uzbekistani, në Bjellorusi dhe Rusi – të shikojnë me ankth sesi vendi më i pasur në Azinë Qendrore është buzë humnerës.

“Ne shohim një vendosmëri të shtuar nga Rusia në mbështetje të klientëve të saj apo aleatëve besnikë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Alexander Gabuev, bashkëpunëtor në Qendrën Carnegie në Moskë. “Nëse janë të suksesshëm, kjo do të përforcojë rolin e Rusisë si garantuese kryesore e sigurisë në rajon”.

SHIKONI EDHE: Në Kazakistan dërgohen trupa ruse për ta "stabilizuar" situatën

Protestat fillimisht paqësore nisën më 2 janar për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Por, protestat u përhapën shpejt në mbarë shtetin e pasur me naftë dhe pakënaqësitë u rritën edhe ndaj Toqaev dhe Nursultan Nazarbaevit, paraardhësit të tij, që sundoi me shtetin për gati 30 vjet. Nazarbaev u tërhoq nga udhëheqja e shtetit më 2019.

Zemërimi lidhur me rritjen e çmimeve, zbehja e perspektivës ekonomike, korrupsioni i rrënjosur dhe sundimi autokratik kanë nxitur kryengritjen dhe kanë ndikuar në rritjen e trazirave, teksa mijëra protestues kanë sulmuar ndërtesat qeveritare, stacionet televizive, aeroportet dhe bizneset.

Teksa Qeveria kazake tani po kërkon ndihmë nga jashtë përmes CSTO-së dhe dislokimit të trupave të saj për të shtypur protestat si pjesë e “operacionit anti-terrorist”. Ngjarjet në këtë shtet pritet të bëjnë jehonë në mbarë rajonin, dhe po shihen edhe si paralajmërim dhe një test për regjimet e tjera, që sundojnë në të njëjtën mënyrë.

Kjo vlen veçanërisht për Rusinë, ku presidenti Vladimir Putin – i informuar nga lëvizjet e mëhershme popullore kundër qeverive të lidhura me Kremlinin në Ukrainë më 2014 dhe në Bjellorusi më 2020 – ka mbështetur një mision të paprecedentë për të ndihmuar partnerët e tij në kohë krizash.

“Nuk mendoj se [Moska] do të mund të përballonte largimin e Toqaevit dhe ka një vendosmëri për të përdorur çdo mjet të nevojshëm për të mbështetur regjimin”, tha Gabuev.

Reagimi në rajon

Për vendimin për të dërguar trupa të CSTO-së në Kazakistan njoftoi kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, i cili aktualisht kryeson me këtë organizatë. Ai përmes një deklarate tha se trupat do të stacionohen në Kazakistan vetëm “për një periudhë të kufizuar kohore” derisa të vihet rendi dhe se këto trupa kryesisht do të fokusohen në mbrojtjen e infrastrukturës. CSTO po ashtu njoftoi se Moska ka dërguar edhe parashutistë.

Kjo është hera e parë që nga themelimi i CSTO-së më 1999, që kjo aleancë dërgon forca ushtarake për të mbështetur një shtet anëtar.

CSTO-ja, që përbëhet nga Rusia, Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani, në të kaluarën kishte refuzuar që të dërgojë trupa, përfshirë edhe gjatë trazirave etnike në Kirgizi më 2010 dhe në Armeni më 2020, kur ky shtet zhvilloi një konflikt të armatosur me Azerbajxhanin.

Nuk ka asnjë indikacion se kriza në Kazakistan ka origjinë nga jashtë, por kërcënimi i supozuar terrorist, që autoritetet kazake kanë fajësuar për dhunën, duket se ishte justifikim i mjaftueshëm që CSTO të ndërhynte.

“Kjo tregon se çfarë roli special luan Kazakistani në politikën e jashtme ruse”, tha Gabuev.

Protesta vdekjeprurëse në Kazakistan

Njoftimi për dërgimin e trupave të CSTO-së erdhi vetëm disa orë pasi zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov tha se ishte e rëndësishme që asnjë shtet i huaj të mos ndërhynte në Kazakistan.

Toqaev po ashtu më herët ka biseduar me liderin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili ka shtypur në mënyrë brutale lëvizjen pro-demokracisë më 2020 dhe që atëherë është varur shumë nga mbështetja ekonomike dhe politike ruse, në mënyrë që të mund të qëndrojë në pushtet.

Ministria e Jashtme uzbeke lëshoi një deklaratë në mbështetje të Qeverisë kazake dhe Tashkenti bëri thirrje që kriza të trajtohej “menjëherë” dhe “pa ndërhyrje nga jashtë”.

Protestat po ashtu janë burim i shqetësimit për Kinën, që e përdorë Kazakistanin si bazë për nismën e saj “Brezi dhe Rruga” dhe gjatë dekadës së fundit ka investuar miliarda në këtë shtet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin tha më 6 janar se ngjarjet në Kazakistan ishin çështje e brendshme dhe se Pekini shpreson që situata të stabilizohet shpejt.

Hu Xijin, një komentator nacionalist kinez që së fundi u largua nga posti i kryeredaktorit në tabloidin qeveritar, Global Times, ka shkruar në rrjetet sociale se trazirat në Kazakistan ishin të ngjashme me “revolucionet shumëngjyrëshe”, një referencë për protestat që rrëzuan nga pushteti liderët pro-Kremlinit nga Gjeorgjia, përmes protestave të vitit 2003 dhe në Ukrainë më 2005. Hu po ashtu shtoi se Kina dhe Rusia do të punojnë së bashku për të zgjidhur krizën dhe për t’i rezistuar ndërhyrjes së pretenduar nga jashtë.

“Rusia dhe Kina nuk do të lejojnë [Shtetet e Bashkuara] dhe Perëndimin që ta shtyjnë Kazakistanin drejt një turbulence afatgjate”, shkroi Hu në Twitter më 6 janar.

Një epokë e re

Zhytja brenda disa ditësh në kaos e Kazakistanit, ka gjasa të bëjë jehonë në mbarë rajonin në të ardhmen.

Qeveria e Toqaevit u përpoq fillimisht të qetësonte protestuesit, duke rivendosur çmimet për llojet e ndryshme të karburanteve dhe duke hequr Nazabaevin – që është bërë personi kryesor për të cilin po protestojnë qytetarët – nga kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, institucion ky me ndikim në shtet. Toqaev po ashtu detyroi Qeverinë që të jepte dorëheqje dhe emëroi figura të reja në poste të larta. Madje, në këtë proces, ai zëvendësoi edhe një nip të Nazabaevit.

SHIKONI EDHE: Gjendje e jashtëzakonshme në Kazakistan pas protestave për çmimet e energjisë

Por, këto lëvizje bën shumë pak për të zvogëluar pakënaqësitë e gjera ekonomike dhe politike ndaj Qeverisë, pakënaqësi këto të akumuluara me dekada. Kjo ka bërë që autoritetet kazake të kenë pak opsione për t’iu përgjigjur protestuesve përtej përdorimit të forcës dhe mbështetjes nga CSTO-ja.

Tre dekada të sundimit autoritar nuk lanë lënë shumë mundësi për të ndërtuar në këtë shtet të Azisë Qendroe, teksa Nazarbaevi dhe partia e tij Nur Otan dominon skenën politike dhe aleatët e tij dhe të afërmit, kanë kapur mediat.

Qeveria ka tentuar edhe në të kaluarën të ulë pakënaqësitë përmes reformave të kufizuara dhe ndërrimit të posteve qeveritare.

SHIKONI EDHE: Blinken bën thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave në Kazakistan

Më 2019, Nazarbaev u largua nga pushteti, për t’u njohur zyrtarisht si “lider i shtetit”, duke i lejuar atij që të ketë pushtet të jashtëzakonshëm formal dhe joformal.

Ai zgjodhi Toqaevin si paraardhësin e tij, dhe urdhri i parë i këtij personi besnik të Nazarbaevit, ishte që të riemëronte kryeqytetin e vendit nga Astana në Nur-Sulltan për nder të Nazarbaevit.

“Kazakistani ka treguar se ju mund të keni ndryshim të udhëheqjes pa ndryshim real të regjimit, dhe ata mund ta bëjnë këtë përsëri”, tha për Radion Evropa e Lirë, Luca Anceschi, profesor i Studimeve Euroaziatike në Universitetin e Glasgout.

Kjo e ka lënë Kazakistanin me një skenë politike relativisht të kufizuar dhe pa figura të larta opozitare, duke ngritur pikëpyetje lidhur me drejtimin në të ardhmen të protestave aktuale, se si njerëzit mund të bashkohen që të arrihen ndryshime domethënëse.

“Protestat nuk kanë asnjë lider specifik dhe nuk ka një opozitë të konsoliduar, që do të thotë se regjimi ende mund të rikuperohet”, tha për Radion Evropa e Lirë, Erica Marat, profesoreshë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.

Situata në terren po vazhdon të ndryshojë shpejt dhe pamja po qartësohet lidhur me atë se ajo se çfarë po ndodh në Kazakistan po rezulton e vështirë për shkak të ndërprerjes mbarëkombëtare të internetit dhe kufizimeve të udhëtimeve, teksa forcat e sigurisë po kryejnë operacione “anti-terroriste” në Almati, në zemrën e protestave.

SHIKONI EDHE: Të mbyllur dhe pa internet - kosovari rrëfen situatën në Kazakistan  

Në ndërkohë, qeveritë rajonale do të vazhdojnë të vëzhgojnë nga afër ngjarjet, derisa Qeveria kazake po tenton që ta ruajë pushtetin.

“Kontingjentet e CSTO-së nuk do të zgjidhin asnjë nga çështjet e brendshme dhe as nuk do të lehtësojë ankesat ekonomike dhe politike”, tha Marat. “Ato do të thellojnë autoritarizmin në Kazakistan dhe mund të shkaktojnë një përshkallëzim edhe më të madh të protestave”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku