Trazira në Francë pas vrasjes së 17-vjeçarit
Franca përjetoi natën e dytë të trazirave, që u nxitën pas vrasjes së një adoleshenti nga policia.
Sipas autoriteteve, të paktën 150 persona janë arrestuar nga policia gjatë natës së dytë të trazirave në Francë.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe gjësende të tjera në drejtim të zyrtarëve policorë, ndërsa dogjën edhe disa vetura.
Afër 2.000 policë ishin dislokuar në Paris.
Nahel M., 17 vjeç, u qëllua me armë zjarri në gjoks mëngjesin e së martës.
Ky incident ka nxitur debatin në Francë lidhur me taktikat që përdor policia.
Taktikat e policisë për një kohë të gjatë janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut lidhur me trajtimin e njerëzve me të ardhura të ulëta, veçmas të pakicave etnike.
Nëna e adoleshentit të vrarë ka bërë thirrje për një marshim të enjten, në nderim të djalit të saj të vetëm. Nahel M. Ishte ndaluar nga policia rrugore, derisa ai po ngiste një makinë të llojit Mercedes. Policia fillimisht kishte thënë se e kishte qëlluar adoleshentin, pasi ai ishte nisur me makinë drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.
Mbeturinat shihen në një rrugë pas përleshjeve mes të rinjve dhe policisë, në protestat pas vdekjes së adoleshentit 17-vjeçar, i cili u vra nga një oficer policie gjatë një ndalimi trafiku, në Nanterre, periferia e Parisit, Francë, 28 qershor 2023.
Përveç në Paris, përleshje mes policisë dhe protestuesve të mërkurën mbrëma ka pasur edhe në Tuluz, Lion dhe Dizhon.