Të gjithë pasagjerët në nëndetësen e zhdukur Titan besohet se kanë vdekur

Nëndetësja Titan në fotografi.

Të pesë pasagjerët në bordin e nëndetëses së zhdukur Titan besohet se kanë vdekur, sipas operatorit të anijes, OceanGate, shkruan BBC.

Në një deklaratë, kompania ka thënë se pesë burrat ishin “eksplorues të vërtetë që kishin një frymë të veçantë aventure”.

Vdekja e tyre besohet se ka ndodhur në atë që Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur shpërthim katastrofik, duke u bazuar në mbeturinat e gjetura të nëndetëses.

Kundëradmirali amerikan, John Mauger, tha se koni i bishtit të nëndetëses Titan u gjet këtë mëngjes, afërsisht 1.600 metra larg harkut të rrënojave të Titanikut, drejt të cilave ishte nisur nëndedetësja.

Dhe, ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën mbeturina shtesë, që përkojnë me humbje katastrofike të dhomës së presionit.

Familjet e pesë pasagjerëve të Titanit janë njoftuar menjëherë.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së thanë se mjetet për operim nga distanca, që punojnë në shtratin e detit rreth Titanikut, i fundosur më 1912, do të qëndrojnë aty.

Roja Bregdetare e SHBA-së thotë se ata janë ende duke punuar në zbardhjen e incidentit.

Është një “mjedis tepër kompleks” në fundin e detit, 2 milje nën sipërfaqe, tha Mauger, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të ndjerëve.

SHIKONI EDHE: Gjenden “mbetje” gjatë kërkimit për nëndetësen e humbur

Zyrtarët thonë se pesë pjesë të mëdha janë zbuluar midis rrënojave që rrethojnë vendin e Titanikut. Midis tyre, koni hundor, jashtë gypit të presionit dhe një fushë më e madhe mbeturinash.

Mauger nuk mund të konfirmonte nëse Roja Bregdetare e SHBA-së do të ishte në gjendje të nxirrte trupat e pesë pasagjerëve në bordin e nëndetëses Titan.

“Ky është një mjedis tepër i pamëshirshëm”, shtoi ai.

Vendi i përplasjes fatale besohet të jetë 1.600 këmbë (487 metra) nga harku i rrënojave të Titanikut.

Ndodhet në një zonë ku nuk ka mbetje të Titanikut.

Roja Bregdetare e SHBA-së do të vazhdojë të hetojë vendndodhjen e rrënojave.

Ka shumë pyetje

Ka shumë pyetje se si, pse dhe kur ndodhi incidenti.

Këto janë pyetjet që do të mblidhen tani, ndërkohë që qeveritë takohen për të diskutuar për hetimin.

Roja Bregdetare tha më herët, më 22 qershor, se një copëza mbeturinash ishin zbuluar pranë rrënojave të Titanikut. Ato i zbuloi një robot nënujor që po kërkonte nëndetësen e humbur në zonën pranë rrënojave të Titanikut.

Eksperti i zhytjes, David Mearns, mik i pasagjerëve në Titan, i tha BBC-së se copëzat e mbeturinave përfshinin “pajisjen e uljes dhe mbulesën e pasme nga nëndetësja".

“Sapo më kanë thënë se mjetet e uljes dhe mbulesa e pasme e nëndetëses janë gjetur mes rrënojave. Kjo është një nëndetëse jo e zakonshme, ajo mbulesë e pasme ka një fund të mprehtë, ndërkaq korniza e ankorimit është ajo mbi të cilën mbështetet e gjithë nëndetësja dhe mbi të cilën ajo ulet kur prek pjesën e poshtme”, tha ai.

“Kjo do të thotë se trupi nuk është gjetur ende, por dy pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë sistemit janë gjetur”.

Kompania Pelagic Research Services, droni nënujor i së cilës zbuloi mbeturinat pranë Titanikut, postoi në faqen e saj të internetit, më herët gjatë ditës, se ishte “përqendruar te familjet e ekuipazhit të Titanit dhe humbjen e tyre tragjike”. Por, shumë shpejt “humbja tragjike” u fshi nga faqet.

Më herët, gjatë ditës së enjte, u njoftua se kërkimet për nëndetësen kishin hyrë në fazën përfundimtare, pasi po bëheshin 96 orë, pas së cilës kohë ajo do të mbetej pa ajër për frymëmarrje për ekuipazhin e saj prej pesë personash.

SHIKONI EDHE: Kush ndodhet brenda nëndetëses së zhdukur?

Vlerësohet se nëndetësja Titan kishte rreth katër ditë furnizim me oksigjen për frymëmarrje kur u nis të dielën në mëngjes në Atlantikun verior.

Bazuar në këtë, por edhe në informatat që dha Roja Bregdetare amerikane dhe kompania që qëndron pas ekspeditës, afati i fundit për gjetjen dhe shpëtimin e nëndetëses ishte afërsisht mes orës 12:00 dhe 14:00 të ditës së sotme.