Protestuesit në Tiranë janë përplasur me Policinë e Shtetit pasi kanë thyer kordonin policor dhe kanë tentuar të hyjnë në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë. Raportohet se nga përleshjet, dhjetëra persona janë të lënduar.
Protesta është mbyllur pas 5 orëve të saj dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë.
Disa nga mijëra protestuesit e mbledhur në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, kanë sulmuar ndërtesën e Kryeministrisë duke hedhur mjete të forta dhe lëndë djegëse në drejtim të saj.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje.
“Duke ndjekur me vëmendje të veçantë protestën e opozitës bëj thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës. Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet”, ka shkruar Meta.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka dënuar dhunën e përdorur gjatë protestës në Tiranë dhe kanë bërë thirrje për rivendosje të qetësisë.
“Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Edhe Misioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Shqipëri ka reaguar duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje të menjëhershme nga të gjitha palët në protestë.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës janë të papranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadave në Shqipëri.
Kryetari i Partisë Demokratike nga opozita, Lulzim Basha, i cili ishte në mesin e protestuesve, ka thënë se aktet e dhunës janë shkaktuar nga “skenari dhunë-nxitës i Edi Ramës”.
“Aktet e dhunës janë shkaktuar si pjesë e një skenari dhunë-nxitës të Edi Ramës të zbatuar nga narko - kupola e Policisë së Shtetit. Unë dua të falënderoj ata efektivë që nuk u bënë pjesë e këtij skenari. I bëj thirrje çdo efektivi të policisë që ka për detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve, kanë detyrë të mbrojnë të drejtën e tyre për të protestuar dhe mos të bëhet vegël e një narko-qeverie dhe një narko-kryeministri i cili sot është rrëzuar përfundimisht nga ky bashkim i madh i shqiptarëve”, tha Basha.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama i cili vizitoi qytetin e Vlorës ku zhvilloi tubimin “Bashkia që duam”, ka reaguar në Instagram duke postuar fotografi nga tubimi në Vlorë dhe protesta në Tiranë dha ka shkruar “Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë”.
Kjo protestë është organizuar nga opozita, e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.