Opozita e Shqipërisë proteston kundër “qeverisë së drogës”

Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria iu bashkuan thirrjeve të opozitës së bashkuar në një protestë në Tiranë kundër Qeverisë së Shqipërisë.

Me thirrje kundër “kanabizimit të vendit” dhe “Rama ik” ata marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit deri te ndërtesa e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit kërkojnë shkarkimin e ministrit të Brendshëm të vendit, Fatmir Xhafaj, për të cilin thonë se është i përfshirë në krim të organizuar dhe trafik të drogës.

Protesta në Tiranë

Disa nga protestuesit u përplasën me Policinë e Shtetit pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme pasi ata kanë hedhur tym sinjalizues dhe mjete të forta në drejtim të ndërtesës.

Ata bënë përpjekje të thyejnë gardhin me tela të vendosur përreth ndërtesës dhe kordonin e policisë, megjithatë u ndaluan nga deputetë opozitarë dhe kryedemokrati Lulzim Basha të cilët po tentonin të qetësonin turmën.

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike duke folur në mesin e protestuesve tha se qytetarët e Shqipërisë nuk do e pranojnë autokracinë, korrupsionin dhe se nuk i mbyllin sytë para krimit dhe drogës.

“Sot nuk duhet të ketë më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të çlirohet vetë nga krimi, se kjo qeveri do ta luftojë vetë drogën, se kjo qeveri do të përmirësohet vetë. Sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar dhe të gjithë botën se është vetëm një rrugë – largimi i kësaj qeverie”, tha Basha.

Edhe Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të “bllokohet për shkak të kryeministrit dhe grupit të tij të trafikantëve”.

“Lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës janë gjërat më kryesore të cilat e kushtëzojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë. Unë mendoj që hapja e negociatave të Shqipërisë nuk ka lidhje me klasën politike por ka lidhje me shqiptarët. Prandaj sot më shumë se kurrë të gjithë kërkojmë ikjen e Edi Ramës me gjithë grupin e tij të trafikantëve të cilët kanë arritur të bllokojnë negociatat, në mënyrë të tillë që të arrijnë t’u japin shans shqiptarëve që me datën 7 qershor europianët t’i thonë po Shqipërisë”, u shpreh Kryemadhi.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, i cili po qëndron në qytetin e Beratit për të prezantuar projektet për qarkun e qytetit tha “teksa qentë lehin ne vazhdojmë të ecim para”.

Ai u fokusua te punësimi, ku tha se synimi për këtë vit është që nga Zyrat e Punësimit të punësohen 25 mijë punëkërkues të rinj.

Partia Demokratike e Shqipërisë javë më pare ka publikuar një përgjim telefonik te vëllait tëministrit të Brendshëm ku dëgjohet se bën marrëveshje me trafikantë te drogës ne Shqipëri.

Këto përgjime vijnë disa javë pasi ish ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, i akuzuar po ashtu për përfshirje në krim te organizuar me trafikim te drogës ka dhënë dorëheqje nga posti i tij prej deputeti dhe nga imuniteti i tij si deputet.

Ai aktualisht po mbahet në arrest shtëpiak dhe është nën hetime nga Prokuroria e Shtetit.

Shqipëria ka marr rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin prill të këtij viti.

Shqipërisë i ishte dhënë statusi i kandidatit për Bashkim Evropian në vitin 2014 dhe ka pritur fillimin e negociatave për anëtarësim deri tani. Negociatat për t’iu bashkuar familjes evropiane pritet të fillojnë në muajin qershor të 2018-s.

Megjithatë, zyrtarë të BE-së kanë thënë se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në pesë prioritetet që përfshijnë: reformën në administratën publike, efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjen e të drejtave të njeriut.