Gjiganti teknologjik kinez, TikTok e ka përditësuar doracakun për përmbajtje, teksa i rritet presioni nga autoritetet perëndimore, të cilat janë të shqetësuara se ky aplikacion mund të përdoret për të shpërndarë informacion të rremë.
Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.
“Parimet janë të bazuara në përkushtimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut, në përputhje me doracakun ligjor ndërkombëtar”, ka thënë Julie de Bailliencourt, udhëheqëse e politikës së TikTok-ut për produktet që ka.
Your browser doesn’t support HTML5
Ajo ka thënë se TikTok-u synon të jetë i drejtë, të mbrojë dinjitetin njerëzor dhe të balancojë lirinë e shprehjes, duke e parandaluar dëmin.
Ky aplikacion kinez është duke u kritikuar në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi-Paqësor, pasi shumë qeveri e kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisje qeveritare, për shkak të rreziqeve potenciale kibernetike dhe atyre të lidhura me dezinformim.
Deri më tani nuk ka të dhëna se diçka e ngjashme ka ndodhur në TikTok, dhe as që aplikacioni i ka ndarë të dhënat me Qeverinë kineze, siç disa kritikë mendojnë se mund të ndodhë.
Shefi i TikTok-ut, Shou Zi Chew, pritet të paraqitet para Kongresit amerikan të enjten, ku do të merret në pyetje për praktikat e TikTok-ut dhe lidhjet me Qeverinë kineze.