Më shumë se dhjetë milionë njerëz i janë bashkuar rrjetit më të ri social nga Meta Platforms, Threads – i krijuar për t’i bërë konkurrencë platformës Twitter – në orët e para pas lëshimit të tij publik, të enjten, ka njoftuar shefi i kompanisë, Mark Zuckerberg.
Shifrat e larta të përdoruesve janë shënuar pavarësisht se lëshimi i Threads-it është shtyrë në Bashkimin Evropian, teksa janë ngritur pikëpyetje nëse aplikacioni do t’i respektojë rregullat e ashpra të BE-së për privatësinë e të dhënave.
Në Threads, përdoruesit mund të bëjnë postime me shkrim – me më pak se 500 shkronja e shenja – dhe të përfshijnë në to fotografi dhe video me gjatësi maksimale prej 5 minutash. Threads i ngjason shumë rivalit të tij, Twitter – me përmbajtje të shkurtër tekstuale, pëlqime dhe ripublikime.
SHIKONI EDHE: Instagram sjell Threads-in për t’i bërë konkurrencë Twitter-itPlatforma e re, e cila është pjesë e Instagram-it, lejon njerëzit të regjistrohen duke përdorur llogaritë e tyre në Instagram – mundësi të tjera regjistrimi tash për tash nuk ofrohen.
Aktualisht, qasja në Threads mund të bëhet vetëm përmes aplikacionit të tij, për platformat mobile iOS dhe Android, teksa, njëherë, nuk ekziston një version për kompjuterë, ndërsa Meta nuk ka treguar se kur mund ta ofrojë një të tillë.
I ndërtuar nga ekipi i Instagram-it, Threads ju jep përdoruesve mundësinë që t’i ndjekin përnjëherë të gjitha llogaritë që tashmë i ndjekin në Instagram.
Kjo do të thotë që nëse Radio Evropa e Lirë është në mesin e llogarive që një përdorues ndjek në Instagram, ky opsion ia sjell automatikisht në Threads përmbajtjen e REL-it, që tashmë është bërë pjesë e rrjetit më të ri social.
Përdoruesit njëherë nuk mund të gjejnë ndjekës nga platformat tjera sociale. Por, Meta do që Threads të jetë i ngjashëm me rivalët si Mastodon, të jetë i decentralizuar dhe t’i lejojë përdoruesit të t’i transferojnë llogaritë në platformat e tjera.
SHIKONI EDHE: Përdoruesit e Twitter-it po dalin në Mastodon – por çfarë është ai?Në orët e para të tij, Threads është kritikuar për shfaqjen e postimeve të shumta nga llogari të rëndomta, që njerëzit nuk i ndjekin.
Shefi i Instagram-it, Adam Mosseri, ka thënë se kjo ndodh meqë Threads është rrjet i sapohapur, teksa ka paralajmëruar se një mënyrë për t’i parë vetëm postimet nga llogaritë që përdoruesit i ndjekin do të ofrohet në të ardhmen.
Meta ka sinjalizuar se nuk synon të përfitojë nga Threads këtë vit, por e ka lënë të hapur mundësinë për shfaqjen e reklamave në të ardhmen.
Threads do të moderohet sikurse Instagram-i, teksa rrjeti i ri do të ketë qasje më të rreptë sesa Twitter-i karshi lakuriqësisë, dhe do të zbatojë rregulla të qarta sa i përket gjuhës së urrejtjes, që kanë munguar në Twitter, që kur atë e bleu Elon Musk.
Mënyra për t’i dërguar dikujt mesazh direkt nuk ekziston në Threads – dhe opsioni, sipas krijuesve të tij, nuk parashihet të vijë as në të ardhmen. Ata kanë thënë se duan t’ua lënë përdoruesve mundësinë të komunikojnë privatisht me të tjerët përmes aplikacioneve ekzistuese për biseda.