Ukraina është duke kufizuar konsumin e energjisë elektrike më 20 tetor, pas dëmeve që i janë shkaktuar infrastrukturës së saj, si pasojë e sulmeve të reja ajrore ruse.
Kjo është hera e parë që Ukraina merr një vendim të tillë, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Në sulmin e fundit rus është dëmtuar një objekt energjetik në rajonin Dnjipropetrovsk, ka thënë udhëheqësi i administratës rajonale, Valentyn Reznichenko, më 20 tetor.
Për sulme ajrore është raportuar edhe në infrastrukturën e qytetit Burshtin në perëndim të Ukrainës, kanë thënë autoritetet.
“Rajoni ynë është përballur me raketa sot. Është goditur centrali në Burshtin, duke shkaktuar zjarr”, ka thënë, Svitlana Onyshchuk, guvernatore e rajoni Ivano-Frankvisk, përmes një deklarate.
SHIKONI EDHE: Të paktën gjashtë të vrarë nga sulmet ruse në UkrainëStacioni në Burshtin furnizon me energji tri rajone perëndimore, apo rreth 5 milionë konsumatorë.
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se furnizimet me rrymë do të jenë të kufizuara nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 23:00.
Kompania ukrainase e rrjetit energjetik, Ukrenergo, u ka bërë thirrje banorëve që të “mbushin të gjitha bateritë” para nisjes së kufizimeve, duke paralajmëruar edhe për ndërprerje totale të energjisë, nëse nuk kursehet rryma.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që në mot të ftohtë të kërkojmë ndihmën tuaj edhe më shpesh”, ka thënë Ukrenergo, duke iu referuar kufizimeve të 20 tetorit.
SHIKONI EDHE: Përdorimi i dronëve iranianë “shpërfaq falimentimin ushtarak të Rusisë”Ukrenergo u ka kërkuar ukrainasve që të sigurojnë rezerva të ujit dhe të sigurohen se kanë “çorape dhe batanije të nxehta, por edhe përqafime nga familja dhe miqtë”.
Kompania u ka bërë thirrje banorëve të Ukrainës që të sigurohen se kanë bateritë e mbushura në telefonat e tyre dhe pajisjet tjera.
“Ka dëme të reja në infrastrukturën kritike. Tri objekte të energjisë janë shkatërruar nga armiku”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në orët e vona të së mërkurës.
“Ne vlerësojmë se terrori rus do të drejtohet te objektet e energjisë derisa me ndihmën e partnerëve të mund të rrëzojmë 100 për qind të raketave dhe dronëve”, ka thënë Zelensky.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg: Ukraina së shpejti do të marrë sisteme të mbrojtjes ajroreAi pritet të kërkojë nga liderët e Bashkimit Evropian për më shumë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë pajisje të energjisë, dhe financim afatgjatë për rindërtim.
Oleksandr Kharchenko, këshilltar në Ministrinë e Energjisë, ka thënë më 19 tetor se do të ketë ndërprerje të energjisë.
“Fatkeqësisht, sipas të dhënave të reja, rreth 40 për qind e infrastrukturës totale është dëmtuar seriozisht. Riparimet janë duke vazhduar, mirëpo sot dhe nesër pritet të këtë ndërprerje”, ka thënë Kharchenko për një televizion ukrainas.
SHIKONI EDHE: Shtatë në dhjetë ukrainas "mbështesin luftën deri në fitore"Trupat ruse kanë zgjeruar sulmet në objektet ukrainase të energjisë, prej 10 tetorit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmet e javës së kaluar kanë qenë hakmarrje për bombardimin e Urës së Krimesë – e vetmja që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.
Putin e ka akuzuar Ukrainën për këtë sulm, mirëpo Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Moska e ka aneksuar Krimenë më 2014.
Javën e kaluar, Putin ka thënë se nuk ka më nevojë për sulme të shkallës së gjerë në Ukrainë.
Sipas tij, shumica e shënjestrave janë shkatërruar dhe se qëllimi i tij nuk është që të shkatërrojë Ukrainën.
SHIKONI EDHE: Putin: Nuk ka nevojë për sulme tjera masive ajrore në UkrainëLufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.