Thirrje për evakuim ndërsa Rusia përshkallëzon ofensivën në Donjeck

Sulmet ruse në një market në Sloviansk lanë të vrarë disa persona.

Autoritetet ukrainase u bënë thirrje civilëve që të largohen urgjentisht nga qyteti i Slovianskut teksa Rusia përshkallëzon ofensivën e saj në rajonin ukrainas të Donjeckut.

Në raportin e inteligjencës të datës 6 korrik të Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, thuhet se “ekziston një mundësi reale që beteja për [Slovianskun] të jetë beteja tjetër kyçe në luftën për Donbasin”.

“Forcat ruse nga regjimentet Lindore dhe Perëndimore të ushtrisë ka të ngjarë që tashmë të ndodhen rreth 16 km në veri nga qyteti [Slovianskut]”, thuhet në raportin e inteligjencës.


Zyrtarët ukrainas thanë se Sloviansku ka qenë nën shënjestrën e shumë bombardimeve ruse gjatë ditëve të fundit, ku janë shënuar të paktën dy viktima dhe shtatë persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi në një treg, më 5 korrik.

Gjatë një deklarate për mediat ukrainase, Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, tha se "këshilla e tij kryesore është evakuimi!".

"Këtë javë nuk ka pasur një ditë pa bombardime", tha ai më 5 korrik, duke shtuar se qyteti tashmë ishte brenda rrezes së raketahedhësve të shumtë rusë.

"Armiku po bombardon në mënyrë kaotike, sulmet kanë për qëllim shkatërrimin e popullatës lokale", tha ai.

Kyrylenko raportoi gjithashtu se ka pasur bombardime në "të gjithë vijën e frontit" në rajonin lindor të Donbasit, ku Rusia i ka ripërqendruar përpjekjet e saj që nga dështimi për të pushtuar Kievin, pas rezistencës së ashpër të Ukrainës.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke folur në fjalimin e tij të mbrëmjes më 5 korrik, tha se ai po vazhdonte thirrjen ndaj Perëndimit për sisteme të përmirësuara anti-raketore pasi alarmet e sirenave ajrore u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev.

"Ushtria ruse nuk bën asnjë pushim", tha ai.

Më 5 korrik, komisionarja e Lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, e dënoi "luftën e pakuptimtë" të Rusisë në Ukrainë, ndërsa kërkoi t'u jepet fund vuajtjeve "të papërballueshme" të civilëve të shkaktuara nga pushtimi.
Më shumë se 10,000 civilë, të vdekur dhe të plagosur, janë dokumentuar në të gjithë Ukrainën deri më 3 korrik, sipas Bacheletit, e cila tha se shifra reale ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusia akuzohet për “gjenocid” pas birësimeve të shpejta të fëmijëve ukrainas

Të paktën 335 fëmijë ishin në mesin e 4,889 viktimave, tha ajo, duke kërkuar t'i jepet fund vuajtjeve "të padurueshme" të civilëve.

"Në emër të çdo viktime të kësaj lufte të pakuptimtë, vrasjet, torturat, arrestimet arbitrare duhet të ndalen", tha ajo në daljen e saj të fundit para Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Bachelet, 70-vjeçare, do të largohet nga posti në përfundim të mandatit të saj katërvjeçar.

Në një fjalim gjatë së njëjtës seancë, zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova, e akuzoi Rusinë për rrëmbime në një shkallë "madhore", përfshirë edhe kryetarin e Bashkisë së Hersonit, Ihor Kolykhayev, dhe bëri thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte.

"I gjithë kombi i është nënshtruar dhimbjes dhe vuajtjes", tha ajo, përmes video- lidhjes.

Përgatiti: Besmir Nenaj