Thirrja amerikane për mbështetje të protestuesve anti-qeveri në Iran ka hasur në reagime të përziera në Kombet e Bashkuara, ndërsa disa aleatë të Shteteve të Bashkuara e kanë shtruar pyetjen nëse një përgjigje ndërkombëtare është e arsyeshme.
Teherani e ka akuzuar Uashingtonin se po synon shkatërrimin e marrëveshjes atomike ndërkombëtare.
Në këtë periudhë të manovrimeve diplomatike në prapavijë, Televizioni shtetëror iranian ka transmetuar pamje të tubimeve pro-qeveritare, që janë mbajtur të shtunën në disa qytete iraniane, ndërsa në mediet sociale janë parë fotografi dhe video të demonstratave anti-qeveri në kryeqytetin Teheran dhe në territoret e tjera.
Këto tubime u mbajtën disa orë pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, të premten mbrëma ka hapur një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me një thirrje emocionale në mbështetje të demonstruesve “të guximshëm” iranianë, duke thënë se ata po “i rrezikojnë jetët e tyre” për realizimin e së drejtës së tyre për ta kritikuar qeverinë dhe për të pasur një jetë më të mirë.
“Populli i Iranit është ngritur në më tepër se 79 lokacione në vend”, tha Haley dhe shtoi se “kjo është paraqitje e fuqishme e popullit guximtar, që është tejngopur me qeverinë shtypëse, sa që ata janë të gatshëm t’i rrezikojnë jetët e tyre në protestë”.
Ambasadorja Haley theksoi se “përfundimisht regjimi i Iranit është në fokus: bota do ta përcjellë atë që bëni ju”.
Por, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, tha se Shtetet e Bashkuara po e “abuzojnë platformën e Këshillit të Sigurimit” me pretekst të “rrejshëm” për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi anëtar.
Ai, po ashtu, e akuzoi Shtëpinë e Bardhë për shfrytëzim të ngjarjeve në Iran për pretendim të rrejshëm për shkatërrimin e marrëveshjes që kërkon kufizimin e aktiviteteve të Iranit në këmbim për tërheqjen e sanksioneve.
Administrata Trump e ka certifikuar bashkëpunimin e Iranit dy herë gjatë vitit të kaluar, por në muajin tetor presidenti Trump ka refuzuar ta certifikojë atë, duke theksuar zhvillimin e raketave balistike iraniane dhe çështje të tjera, për të cilat tha se e shkelin “frymën” e marrëveshjes atomike ndërkombëtare.
“Arsyeja e vërtetë e theksuar për mbajtjen e seancës së Këshillit të Sigurimit, nuk qëndron në përpjekjen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe interesave të popullit të Iranit, por në përpjekjen e maskuar për ta shfrytëzuar momentin aktual për vazhdimin e linjës kah shkatërrimi i marrëveshjes atomike, që synon zgjidhjen e situatës lidhur me programin atomik iranian”, tha Nebenzya.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Gholamali Khoshroo, po ashtu,akuzoi Shtetet e Bashkuara për “frikësim” dhe “abuzim” të forcës së vet, duke e thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për çështjen, për të cilën ai tha se është “jashtë fushëveprimit të mandatit të tij”.
Të dërguarit e Kinës, Suedisë, Bolivisë dhe të disa vendeve të tjera, po ashtu, kanë shprehur rezervat e tyre për atë nëse këshilli është forum i drejtë për diskutimin për protesta.
Por, me gjasë, në goditjen më të madhe të shpresave të Shteteve të Bashkuara për të fituar mbështetje, disa aleatë amerikanë në Evropë, po ashtu, i kanë vënë pikëpyetje lëvizjes që kjo çështje të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Vetëm ambasadori britanik në OKB, Matthew Rycroft, hapur e ka mbrojtur angazhimin amerikan për diskutimin e kësaj çështje në këtë këshill.
“Sado që shqetësuese të jenë ngjarjet e pak ditëve të fundit në Iran, ato nuk përbëjnë kërcënim në vetvete për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm për çfarëdo përpjekjeje për ta shfrytëzuar krizën për qëllime personale, që do të kishte përfundim diametralisht të kundërt me atë që dëshirohet”, tha ambasadori francez.
Kjo kthesë nga aleati i afërt i Shteteve të Bashkuara, ka ndikuar që ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në rrjetin Twitter, ka pretenduar se Irani me sukses i ka rezistuar përpjekjes së Shteteve të Bashkuara për të organizuar çfarëdo intervenimi të OKB-së në Iran.
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka kundërshtuar përpjekjen lakuriqe amerikane për ta rrëmbyer mandatin e tij – pra një tjetër gabim trashanik i politikës së jashtme të administratës Trump”, ka shkruar Zarif.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e ka pranuar se është i dëshpëruar për përgjigjen ndaj protestave në Iran, e veçanërisht nga aleatët perëndimorë.
“Ne jemi pakëz të dëshpëruar në Bashkimi Evropian, që nuk ka ndërmarrë qëndrim më tepër të përkufizuar në mbështetje të këtyre zërave në vend, që po bëjnë thirrje për reforma”, i tha Tillerson agjencisë AP.