Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

FSK, foto nga arkivi

Udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore thonë se Kosova shumë shpejt do ta themelojë Ushtrinë e saj, në partneritet me NATO-n.

Në konferencën rajonale të sigurisë, me temën, “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, liderët e institucioneve të Kosovës shtruan çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ndërkaq, përfaqësuesit e NATO-s, ritheksuan rëndësinë që ka ruajtja e paqes në Ballkan, për paqen dhe stabilitetin në gjithë Evropën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se rruga dhe koha deri te transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e ardhshme nuk është e largët.

Ne synojmë të bëhemi anëtar më të drejta të plota të Aleancës Veri –Atlantike. Ne krenohemi me Forcat e Sigurisë se Kosovës, një organizatë që është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Falënderojmë po ashtu KFOR-in për punën profesionale që është duke bërë në këtë partneritet me FSK-në”, ka thënë Veseli.

Natyrisht, presim që shumë shpejt, të bëjmë edhe transformimin përfundimtar të Forcës se Sigurisë së Kosovës në Ushtri të ardhshme të Kosovës. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është e sigurt është se Kosova do të ketë ushtrinë e vet në partneritet me NATO-n në ditët në vijim”, theksoi Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sfidat dhe kërcënimet e sigurisë i tejkalojnë kufijtë e shteteve. Disa nga sfidat që Kosova i veçon, ka thënë kryeministri Haradinaj, janë terrorizimi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, kryesisht përmes luftës informative dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

E për tu përballur me këto sfida, duhen iniciativa të përbashkëta duke respektuar sovranitetin e secilit shtet në mënyrë reciproke, ka thënë Haradinaj.

Kosova si shtet nuk është neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme. Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO, pra ne jemi NATO. Ne duam që NATO të qëndrojë në Kosovë”.

Ne kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës, ne synojmë që brenda kësaj dekade deri në vitin 2020 ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në anën tjetër Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomacinë Publike, Tacan Ildem, tha se një Ballkan stabil, nënkupton një Evropë stabile.

Me lejoni të ritheksoj rëndësinë e madhe që NATO-i i jep vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë rajonale”, ka thënë Ildem.

Sipas tij, NATO punon me te gjitha vendet dhe palët me interes në rajon, për të ruajtur sigurinë dhe përmirësuar situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor. Kjo organizatë ka thënë ai, nuk injoron kërcënimet, çfarëdo qofshin ato.

Konferenca ndërkombëtare, “NATO dhe Ballkani Perëndimor”, kishte si qëllim diskutimet rreth paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit në periudhën e sfidave globale të sigurisë.