Thaçi: Nuk kërkoj leje nga askush për vizita në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media të dielën mbrëma, theksoi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin leje nga askush për vizita nëpër Kosovë.

"Kosova është një shtet demokratik dhe liria e lëvizjes është e garantuar për të gjithë qytetarët pavarësisht zhvillimeve politike qe mund të paraqiten. Dje kam vizituar pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe do ta vizitoj sa herë që planifikoj në agjendën time, kurrë as nuk kam marrë leje as që do të marrë leje nga askush për një gjë të tillë".

"Kjo vizitë ka qenë shumë transparente, sa i përket lejeve këtë nuk duhet ta bëjë askush nga Kosova. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të lëvizjes së lirë në cdo cep të territorit të Kosovës. Ne i japim leje atyre që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën", tha Thaçi.

Presidenti Thaçi, ritheksoi se vizita e tij në Liqenin e Ujmanit ka qenë krejtësisht rutinore, ku sipas tij, ai ka patur rastin të takojë qytetarë dhe të dëgjojë mendimet e tyre.

Vuçiq: "Me hyrjen e ROSU-së në veri” u kërcënua paqja

"Jam pritur ngrohtë edhe nga banorët lokalë, serbët e Kosovës qe jetojnë në atë pjesë. U konfirmua se të gjithë e duan paqen, mirëkuptimin, pajtimin, vende pune, jetë më të mirë dhe jo nacionalizëm, konflikt, luftë, urrejtje dhe armiqësi", theksoi Thaçi.

Thaçi shtoi se arritja e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë është rezultat i përkushtimit maksimal në procesin e dialogut. Ai shtoi se qëndron prapa idesë për ndryshimin e kufijve që sipas tij, nuk simbolizon ndarje, si dhe ftoi për unitet politik lidhur me këtë çështje.

"Dallimet aktuale të spektrit politik nuk përfaqësojnë vlera, por janë për keqardhje, por unë kam besim se kjo situatë do të kalohet në ditët e ardhshme nga njerëzit e përgjegjshëm institucionalisht", tha Thaçi.

Thaçi, në fund shtoi se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës po shkon drejt fundit.