Thaçi: Ushtria do të sjellë më shumë paqe, nuk do të kërcënojë askënd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, iu drejtuan të hënën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas vendimit të Kosovës, javën e kaluar, për të transformuar Forcën e saj të Sigurisë në Ushtri.

Vendimi shkaktoi zemërim në Beograd, por u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane: Tranzicioni i FSK-së, e drejtë sovrane e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Thaçi, tha se “asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur javën e kaluar” dhe se vendimi për ushtrinë “është i vonuar, por assesi i gabuar”.

"I vonuar, sepse është pritur vullneti i mirë i atyre që nuk e kanë treguar", tha Thaçi.

Në seancën e thirrur nga Serbia, Thaçi tha se asnjë dokument nuk e ndalon krijimin e ushtrisë së Kosovës, përfshirë rezolutën 1244 të OKB-së, mbi të cilën thirret Serbia.

Thaçi tha se edhe Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës, e nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.

“Në cilësinë time si president dhe komandant suprem, e them troç se ushtria do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitetit”.

“Ushtria nuk është kërcënim kundër askujt, është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike. Ushtria do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon”, tha Thaçi.

Ai po ashtu siguroi se Kosova do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë për bashkëpunim me KFOR-in, misionin paqeruajtës të NATO-s.

SHIKONI EDHE: A i luhati raportet e Kosovës me NATO-n, formimi i Ushtrisë?

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se Prishtina, me veprimet e saj rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Vuçiq shprehu shqetësimin e tij për, siç tha, të ardhmen jo vetëm të popullit serb në Kosovë dhe të Serbisë, por të të gjithë rajonit.

Ai tha se nuk pajtohet me frazat e zakonshme që "të dyja palët duhet të bëjnë diçka", sepse “Beogradi ka bërë gjithçka që është rënë dakord”.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia do t’i mbrojë serbët e Kosovës në rast se sulmohen

Vuçiq tha se Serbia ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën, në kuadër të dialogut për normalizim marrëdhëniesh, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe se të gjitha obligimet nga ajo marrëveshje “i ka përmbushur”.

“Prishtina ka pasur vetëm një obligim nga ajo marrëveshje - krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe sot janë bërë 2070 ditë që kjo nuk është bërë”, tha Vuçiq.

“Do të donim që të ftojmë OKB-në që të marrë rol më të madh në të ardhmen. Nuk kemi asgjë kundër BE-së, por duam që OKB-ja të marrë më shumë rol për të ndalur provokimin nga Prishtina”, tha Vuçiq.

Përfaqësuesi i SHBA-në në OKB përsëriti se Uashingtoni e mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, ashtu si edhe përfaqësues të disa vende të tjera perëndimore.

Ambasadori i Rusisë në OKB tha se ndan shqetësimin me Serbinë.