Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, as sot nuk është paraqitur para Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili po heton rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetaseve turq nga Kosova për në Turqi, që kishte ndodhur në mars të vitit të kaluar.
Presidenti Thaçi, ka qenë disa herë i ftuar të intervistohet nga ky komision, por nuk është paraqitur aty. Ky komision ka dëgjuar tashmë dëshmitë e krerëve të shtetit në lidhje me dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, rast ky i paprecedent deri më tani, por pa dëshminë e presidentit, anëtarët e komisionit po vlerësojnë se raporti nuk mund të jetë i kompletuar.
Kryetari i Komisionit, deputeti Xhelal Sveçla, lexoi një letër që zyra e presidentit Thaçi u kishte dërguar anëtarëve të komisionit në momentin e fundit, ku mes tjerash thuhej se presidenti nuk mund t’i përgjigjej ftesës për të raportuar, duke kërkuar që këtë ta bëjë në një takim tjetër më datën 26 prill.
“Unë jam që të plotësohet kjo kërkesë e Zyrës së Presidencës edhe pse e vonshme”, tha Sveçla.
Edhe nënkryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, edhe pse ngriti dyshime në paraqitjen e Presidentit, tha se pajtohej që Komisioni të mblidhet ditën e premte, pasi sipas tij, presidenti i Kosovës është dëshmitari kyç për ndriçimin e këtij rasti.
“Përkundër që unë kam dilemat e mia që (presidenti) asnjëherë nuk ka marrë kurajo t’i përgjigjet ftesës sonë dhe tashmë i ka rënë ndërmend të përgjigjet dhe ne tashmë duhet t’i përgjigjemi agjendës së tij. Por, megjithatë në funksion të qëllimit tonë të përbashkët për të zbardhur këtë rast, atëherë unë pajtohem që të mbahet takimi më datën 26 prill, në mënyrë që të kemi dëshmitarin kyç për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij procesi”, tha Selmanaj.
Hashtag: Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq?
Ky komision ka për qëllim të hetojë rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të vitit të kaluar.
Me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.
Tre muaj pas ngjarjes, më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq.
Ky Komision ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq. Shkeljen më të madhe sipas tyre e kanë bërë dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës. Shkeljet janë evidentuar në secilën fazë, që nga revokimi i lejeve të qëndrimit për 6 shtetasit turq e deri te largimi i tyre nga Kosova.
Ndryshe, edhe pse raporti i Komisionit është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës deri më tani nuk është ngritur ndonjë aktakuzë. Megjithatë, prokurori Sylë Hoxha, që njëherësh është edhe zëdhënës i këtij institucioni, më herët ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se raporti i punuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do jetë pjesë e lëndës.
“Ata e kanë dorëzuar, ne e kemi pranuar në Prokurori. Ai raport është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës, por ne rastin e kemi filluar më herët në grumbullim të provave”, tha Hoxha.
Lidhur me presionin mbi punën e këtij komisioni, në mars të këtij viti ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Përmes një deklarate për media, kjo ambasadë tha se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”. ‘
Përmes saj, ambasada u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”.
Edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ambasada e Gjermanisë, kanë njoftuar se e mbështesin plotësisht qëndrimin e Ambasadës amerikane rreth dëbimit të gjashtë qytetarëve turq nga autoritetet e Kosovës në mars të vitit të kaluar.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pati thënë se “hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme”.