Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe shkëputja e sistemit të drejtësisë nga politika, duhet të jenë qëllimet kryesore për një sundim të mirëfilltë të rendit dhe ligjit.
Ai ka kundërshtuar shifrën e prezantuar në listën e përfituesve të statusit të veteranit të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon mbi 38 mijë persona, duke thënë se numri i tyre duhet të jetë shumë më i vogël.
SHIKONI EDHE: Aktakuzë ndaj 12 personave për 'veteranët mashtrues'“E vërteta është se nuk ka pasur më shumë se 12 mijë - 15 mijë luftëtarë me uniformë ndërsa të gjithë të tjerat janë mashtrime, kësaj duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Këto komente, presidenti i Kosovës i bëri gjatë punimeve të konferencës dyditore rajonale kundër korrupsionit, të organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ku po marrin pjesë drejtues të institucioneve relevante nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Turqia.
Në përgjithësi, ai tha se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që nga miratimi i kornizës ligjore deri te zbatimi i ligjeve në praktikë.
“Ne e dimë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk është e lehtë nuk është e shkurtër por ne jemi të vendosur të ecim përpara. Sfidat duhet t’i kalojë duke bashkëpunuar me vendet e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka kërkuar nga faktorët relevantë ndërkombëtar që ta përkrahin Kosovën të anëtarësohet në organizatën e Policisë Ndërkombëtare - INTERPOL.
“Anëtarësimi në INTERPOL do të sillte dobi jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin humbës do të ishin vetëm njerëzit e kriminalizuar, pres mbështetje nga miqtë ndërkombëtar”, tha presidenti i Kosovës.
Ndërkaq, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se strategjia e zgjerimit të BE-së në lidhje me Ballkanin është e qartë dhe kërkon që këto vende duhet të shkëputen nga lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës.
Apostolova ka kërkuar që zyrtarët e akuzuar për korrupsion të largohen nga institucionet. Në këtë drejtim, ajo ka bërë thirrje për miratimin e një sërë ligjesh, përfshirë edhe atë për largimin e zyrtarëve të akuzuar nga institucionet.
SHIKONI EDHE: DASH: Kosova përballet me korrupsion e ndërhyrje në drejtësiAjo i rikujtoi institucionet përgjegjëse në Kosovë se luftimi i korrupsionit ndërlidhet edhe me çështjen e liberalizimit të vizave.
Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues nga vendet e rajonit.