Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushtëzime, ka deklaruar në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili zhvilloi të martën në Paris një takim të përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Thaçi tha po ashtu se edhe pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, pala kosovare duhet të qëndrojë unike në vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai tha se pret që marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda muajve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, sapo u njoftuam se ju keni zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atë francez Emannuel Macron. Mund të na tregoni për çka është biseduar dhe sa ka zgjatur ky takim?
Hashim Thaçi: Në kuadër të organizimeve të Forumit të Paqes këtu në Paris, presidenti i Francës, Macron ka marrë iniciativën sot që të zhvillojë një takim trilateral mes meje si president i shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë Vuçiq në një nga ambientet e organizuara nga presidenti Macron.
Qëllimi i takimit ishte afirmimi i nevojës së dialogut Kosovë-Serbi, ristartimi i këtij procesi dhe mundësia eventuale e arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, me mundësi potenciale për Kosovën që të jetë pjesë edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Unë vlerësoj lartë përkushtimin, zotimin dhe vendosmërinë e presidentit Macron që të lehtësojë këtë proces, si një prej udhëheqësve të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe botëror.
Prandaj, mendoj që ishte një mesazh për paqen, për bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe të ardhmen euroatlantike për Kosovën, por edhe të ardhmen evropiane në tërësi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Besoj se presidenti Macron, së bashku me akterë të tjerë globalë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe akterë të tjerë evropianë, duke përfshirë edhe NATO-n do të mund të lehtësojë procese të ardhshme të tilla për arritjen e marrëveshjes përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi si kusht për paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare?Radio Evropa e Lirë: A është arritur ndonjë pajtim se kur mund të vazhdojë dialogu dhe a do të ketë ende kushtëzime nga Beogradi për vazhdimin e bisedimeve, siç ishte rasti me taksën?
Hashim Thaçi: Me rëndësi është që dialogu duhet të vazhdojë, është konstatim i përbashkët i të gjithë akterëve globalë, por edhe neve i akterëve lokalë. Ndërsa, dialogu do të vazhdojë i pakushtëzuar nga asnjëra palë.
Radio Evropa e Lirë: A e ka paraqitur presidenti Vuçiq heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut?
Hashim Thaçi: Paqja dhe stabiliteti të arrihet pakushtëzuar jo duke u ankuar, dhe jo duke folur për të kaluarën, por duke shikuar të ardhmen e pakushtëzuar, të ardhmen e lirë dhe perspektivën evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Zoti president, cili ishte qëndrimi i presidentit Macron në raport me dialogun Kosovë - Serbi?
Hashim Thaçi: Është një vendosmëri e plotë e presidentit Macron që të shtyjë përpara këtë proces si nevojë evropiane dhe si kusht e kriter evropian sepse tek e fundit edhe Franca e Gjermania kanë qenë në konflikt të ashpër, me viktima të shumta, por shembulli i Francës dhe Gjermanisë mund të jetë edhe shembulli më i mirë për Kosovën dhe Serbinë që të përmbyllen konfliktet me paqe, pastaj zhvillim, ndërtim dhe jetë më të mirë për njerëz.
SHIKONI EDHE: Kurti: Dialogun do ta udhëheq unë, jo presidentiRadio Evropa e Lirë: Si e shihni rolin tuaj në këtë proces në të ardhmen meqenëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se ato (Qeveria e re) do ta udhëheqin dialogun me Serbinë?
Hashim Thaçi: Kosova duhet të jetë unike, e bashkuar, siç ka qenë gjithmonë përballë Serbisë, duke qenë të bashkuar dhe unikë do t'ja dalim, andaj si president i vendit i ftoj të gjithë të kenë urtësi, mençuri, zotësi dhe bashkim të të gjitha energjive përballë një procesi që nuk do të jetë i lehtë, për këtë arsye roli im do të jetë kushtetues, ligjor dhe i legjitimitetit qytetar.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që qeveria e ardhshme të heq taksën ndaj Serbisë?
Hashim Thaçi: Unë besoj se të gjitha institucionet do të jenë të fokusuara në shërbim të qytetarëve për një jetë më të mirë, jeta jonë nuk është relacioni me Serbinë, jeta jonë është ndërtimi i Kosovës, zhvillimi i saj, progresi, hapja e vendeve të punës, hapja e perspektivës së përgjithshme, reformat demokratike dhe e ardhmja evropiane. Ne nuk duhet që të gjitha energjitë t'i fokusojmë në dialogun me Serbinë, kjo është një nga çështjet, por e rëndësishme për të ardhmen dhe e paevitueshme.
Radio Evropa e Lirë: Zoti president, a keni ndonjë pritje kur mund të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë?
Hashim Thaçi: Sa më herët aq më mirë, por mund të ndodhë në muajt e ardhshëm.