Këtë vit, muaji tetor në Evropë theu rekord për temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë, duke arritur pothuajse dy gradë Celsius mbi periudhën krahasuese 1991-2020. Këtë e ka bërë të ditur Shërbimi Kopernik për Ndryshime Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian.
Monitoruesi i klimës, C3S, tha se kjo valë e nxehtësisë “solli temperatura rekorde në baza ditore në Evropën perëndimore dhe një tetor që theu rekord për nxehtësi në Austri, Zvicër dhe Francë”.
Rekorde u thyen edhe në shumë pjesë të Italisë dhe Spanjës për muajin e kaluar.
“Kanadaja përjetoi nxehtësi rekorde dhe kushte shumë më të ngrohta se zakonisht u regjistruan edhe në Grenlandë dhe Siberi”, thanë nga C3S.
Ata theksuan se temperatura më të ftohta se zakonisht u regjistruan në Australi, në pjesët më lindore në Rusi dhe në disa zona në perëndim në Antarktikut.
Ky lajm vjen përderisa liderë botërorë janë grumbulluar në Egjipt për të diskutuar për klimën, të përballur me thirrje për t’i ulur urgjentisht emetimet e karbonit në mënyrë që të shmangen fatkeqësitë e mëtejshme klimatike.
SHIKONI EDHE: Samiti për klimën nis punimet në Egjipt me thirrjet për veprim“Pasojat e rënda të ndryshimit klimatik janë shumë të dukshme sot dhe neve na duhen veprime ambicioze klimatike në COP27 për t’u siguruar që reduktimi i emetimeve do t’i stabilizojë temperaturat afër cakut të vendosur nga Marrëveshja e Parisit prej 1.5 gradëve”, tha zëvendësdrejtoresha e C3S, Samantha Burgess, duke iu referuar bisedimeve aktuale për klimën që po zhvillohen në Egjipt, në kuadër të OKB-së.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se vendet duhet të bashkëpunojnë ose do të përballen me “vetëvrasje kolektive” në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Njerëzimi ka një zgjedhje: bashkëpunim ose zhdukje”, tha Guterres në Samitin COP27 të OKB-së.
SHIKONI EDHE: Guterres: Bashkëpunoni për ndryshimet klimatike ose njerëzimi do të zhduketNga C3S gjithashtu thanë të martën se tetori i këtij viti solli kushte më të thata se zakonisht në Evropën jugore dhe në Kaukaz.
“Ishte gjithashtu më thatë se zakonisht në pjesën më të madhe të Amerikës Veriore qendrore, në Bririn e Afrikës, në pjesë të mëdha të Rusisë, në Azinë qendrore dhe Kinë, dhe në disa rajone të Amerikës jugore”, thuhet në raportin e publikuar.
Ndërkohë, në disa pjesë të Gadishullit Iberik, Francës dhe Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Skandinavisë Veriperëndimore, një pjese të madhe të Evropës lindore dhe Turqisë qendrore, moti ishte “më i lagësht se mesatarja”.
Jashtë Evropës, kushte të tilla klimatike u regjistruan edhe në disa pjesë të Amerikës Veriore, Azisë qendrore dhe jugore. Ndërsa, në Australi, reshjet e mëdha të shiut shkaktuan edhe vërshime në disa zona.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) e OKB-së tha të dielën se, nëse parashikimet për këtë vit rezultojnë të jenë të sakta, tetë vjetë e ardhshëm do të jenë secili më i nxehtë se ai paraprak dhe më të nxehtë se para 2015-tës, përderisa theksoi një ngritje dramatike në ritmin e ngrohjes globale.
SHIKONI EDHE: Si e përshpejtojnë ngrohjen globale rrjedhjet e metanit?WMO shtoi se ngritja e nivelit të detit, shkrirja e akullnajave, reshjet tokësore dhe valët e nxehtësisë janë përshpejtuar shkaku i ngrohjes globale.
Toka është ngrohur më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga fundi i shekullit të 19-të. Por, rreth gjysma e kësaj ngritjeje ka ndodhur gjatë 30 vjetëve të fundit.
Sipas parashikimeve, ky vit do të jetë i pesti ose i gjashti më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë, përkundër ndikimit që ka pasur fenomeni La Nina që nga viti 2020 - fenomen periodik dhe natyror në Paqësor që ftoh atmosferën.