Të paktën tetë të vdekur nga sulmet ruse ndërsa Ukraina shënon Ditën e Mbrojtësve

Vendi i një sulmi rus në Zaporizhja të Ukrainës më 1 tetor.

Të paktën tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga sulmet ruse mbi rajonet ukrainase të Hersonit, Zaporizhjas dhe Sumyt më 1 tetor, kur Ukraina shënoi Ditën e Mbrojtësve mes një situate gjithnjë e më të vështirë në fushëbetejë në pjesën lindore të vendit, ku ofensiva e Moskës po bën përparime graduale.

“Një sulm rus në Herson, pikërisht në qendër të qytetit. Deri tani, janë konfirmuar gjashtë vdekje”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në X, duke shtuar se gjashtë persona të tjerë u plagosën.

Vdekjet u shkaktuan kur predhat ruse goditën një treg në qendër të qytetit Herson, ndërsa të tjerët u plagosën në një sulm tjetër mbi një stacion autobusi në qytetin jugor, tha guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin, në Telegram.

Qyteti i Hersonit u çlirua nga trupat ukrainase në nëntor të vitit 2022, duke i detyruar ushtarët rusë të tërhiqeshin drejt lindjes përtej lumit Dnjepër. Por, Rusia vazhdoi ta godasë Hersonin rregullisht nga përtej lumit, duke shkaktuar shumë viktima civile dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile dhe atë energjetike.

Në Zaporizhja, Rusia sulmoi ndërtesa apartamentesh, duke vrarë një person dhe plagosur gjashtë të tjerë, tha guvernatori rajonal, Ivan Fedorov.

Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Ukrainës raportoi më 1 tetor se trupat ruse sulmuan nënstacionin kryesor dhe ndërprenë një linjë energjie drejt centralit bërthamor të Zaporizhzjas – më i madhi në Evropë – i cili ishte në prag të një ndërprerjeje totale.

Në Sumy, një rajon verilindor që kufizohet me Rusinë, sulmet ajrore vranë një grua dhe plagosën dy burra në komunitetin Esman, raportoi zyra e prokurorit rajonal.

Në mbarë Ukrainën, në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale, u mbajt një minutë heshtje në kujtim të të gjithë ukrainasve që kanë dhënë jetën duke mbrojtur pavarësinë e vendit të tyre.

Në një mesazh në Telegram, komandanti më i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, përgëzoi ushtarët ukrainas, të cilët i quajti “luftëtarë të pathyeshëm”, të cilët përballuan forcat pushtuese ruse dhe gjatë 2 vjetëve e gjysmë të fundit “i dhanë betejë të ashtuquajturës 'ushtria e dytë e botës' dhe e ndaluan atë”.

SHIKONI EDHE: Ukraina e sulmon rajonin rus me breshëri dronësh

Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, gjithashtu lëshoi një deklaratë duke falënderuar çdo ushtar ukrainas për unitetin, guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

“Ne e dimë për çfarë po luftojmë: për shtëpinë tonë, për të afërmit tanë që ëndërrojnë për një qiell të qetë. Për qytetet dhe fshatrat që presin çlirimin. Për brezat e ardhshëm që do të jetojnë në tokën e tyre pa frikë. Dhe për kujtimin e atyre që gjatë shekujve dhanë jetën për lirinë tonë. Nder i përjetshëm bijve dhe bijave të Ukrainës, të cilët sakrifikuan jetën e tyre për shtetin tonë”, tha Umerov në fjalimin e tij.

Ndërkohë, Umerov njoftoi shkarkimin e tre zëvendësministrave të tij. Ai tha në rrjetet sociale se kishte kërkuar nga qeveria që të lironte nga detyra Stanislav Haider, Oleksandr Serhiy dhe Yuriy Dzhygyr, si zëvendësministra të mbrojtjes, si dhe Lyudmyla Darahan si sekretare e ministrisë.

“Kam vendosur që të përfundoj procesin e pastrimit të sistemit të prokurimeve në bashkëpunim të ngushtë me organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet anti-korrupsion”, tha Umerov.

SHIKONI EDHE: Ministri i Bujqësisë i Ukrainës ofron dorëheqje pas hetimit për korrupsion

Data 1 tetor u shpall Dita e Mbrojtësve në vitin 2014, disa muaj pasi Rusia pushtoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë dhe pjesë të rajoneve lindore të Donjeckut dhe Luhanskut. Kjo ditë zëvendësoi një festë të mëparshme të shënuar më 23 shkurt, e cila ishte caktuar në kohët sovjetike.

Më herët në mëngjes, forcat ajrore të Ukrainës thanë në një deklaratë në Telegram se mbrojtjet e tyre ajrore kishin rrëzuar 29 nga 32 dronë të nisur nga ushtria ruse në shtatë rajone ukrainase.

Më 30 shtator, Zelensky përsëri pranoi situatën “shumë, shumë të vështirë” me të cilën ushtria po përballet në lindje, ku forcat ruse kanë tentuar për muaj të tërë të kapin qendrën logjistike të Pokrovskut në rajonin e Donjeckut.