Mijëra viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Your browser doesn’t support HTML5

Skena tragjike pas tërmeteve në Turqi dhe në Siri

Më shumë se 3.400 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.

Dhjetëra mijëra njerëz që mbetën të pastrehë në Turqi dhe Siri po përballën me një natë në të ftohtë. Në Gaziantep të Turqisë, një kryeqytet provincial rreth 33 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njerëzit u strehuan në qendrat tregtare dhe stadiume. Gjithashtu xhamitë përreth zonës u hapën për të siguruar strehim për të prekurit nga tërmeti.

Numri i të vdekurve në jug të Turqisë u rrit në 2.316, ndërsa i të lënduarve në më shumë se 13.000, tha një zyrtar nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Gjithashtu, më shumë se 5.600 ndërtesa u shkatërruan, thanë autoritetet turke.

Turqia shpalli shtatë ditë zie për të vdekurit.

Ndërkaq, Siria raportoi mbi 1.000 të vdekur dhe mbi 3.400 të lënduar.

Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës.

Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Në kërkim të të mbijetuarve nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.

Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij u shembën.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.

Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarët e aleancës po mobilizojnë mbështetjen për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrues.

Komisioni Evropian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që ka goditur vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

“Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India.

Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë.

Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

Kosova ka nisur një kontigjent të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt Turqisë.

Edhe Shqipëria njoftoi se ekipi shqiptar i ndihmës është nisur drejt këtij vendi, ku në përbërje të tij janë 53 persona, personel mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit.

Ekipet e shpëtimit nxjerrin një person nga një ndërtesë e shembur pas një tërmeti në Malatya, Turqi më 6 shkurt 2023.

Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.

Disa besojnë se ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Turqinë.

Sizmologu nga Longond College, Stephen Hicks, tha se edhe një tërmet prej 7.8 shkallësh kishte goditur Turqinë më 1939, duke vrarë 30.000 persona.