SHBA beson se Putin “ka vendosur të pushtojë” Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se SHBA-ja beson se presidenti rus, Vladimir Putin, “ka marrë vendimin për të pushtuar” Ukrainën.

"Kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë të sulmojnë Ukrainën javën e ardhshme, në ditët në vijim", tha Biden në një fjalim televiziv.

Ai tha se SHBA-ja beson se Rusia mund ta ketë në shënjestër edhe kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i banuar me mbi 2.9 milionë njerëz.

"Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj. Perëndimi është i bashkuar dhe i vendosur. Ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo pushton më tej Ukrainën", tha Biden.

"SHBA-ja dhe aleatët e partnerët tanë do të mbështesin popullin ukrainas", theksoi ai.

Your browser doesn’t support HTML5

A do ta tërheqë Rusia këmbëzën?

Presidenti amerikan tha se Rusia mund të zgjedhë ende diplomacinë dhe shtoi se "nuk është vonë për t'u kthyer në tryezën e negociatave".

Putin, gjatë katër muajve të fundit, ka grumbulluar mbi 150,000 trupa në kufijtë me Ukrainën.

Zyrtarë të SHBA-së dhe NATO-s thonë se prania ushtarake vazhdon të rritet, pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka filluar t'i kthejë disa trupa në kazerma.

SHIKONI EDHE: Gjermania akuzon Rusinë për kërkesa të stilit të Luftës së Ftohtë

Rusia vazhdimisht mohon se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj.

Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.

SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Rusia tani përdor ushtrinë si presion. Javëve të fundit, ajo ka kryer edhe një varg stërvitjesh ushtarake në kufijtë me Ukrainën, përfshirë disa në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke i bllokuar disa rrugë të rëndësishme të eksportit për Ukrainën.

SHIKONI EDHE: Krahasimi i fuqisë ushtarake të Ukrainës dhe të Rusisë

Biden mbajti fjalimin pas një bisede telefonike që zhvilloi me udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Britanisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, tha Shtëpia e Bardhë.

Sipas një deklarate të lëshuar për mediat, udhëheqësit u zotuan se do të vazhdojnë të ndjekin diplomacinë, por thanë se janë të përgatitur për t'i vënë kosto të shpejta dhe të koordinuara ekonomike Rusisë nëse ajo zgjedh konfliktin e mëtejshëm.

SHIKONI EDHE: A ia del Evropa pa gazin rus?

Rusia dhe Ukraina janë në luftë me njëra-tjetrën qysh në vitin 2014, kur Moska ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur mbështetjen për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.

Konflikti në rajonin e njohur si Donbas, i cili ka nisur të intensifikohet sërish ditëve të fundit, vazhdon qysh në vitin 2014 dhe ka lënë mbi 14,000 njerëz të vrarë.

Përgatiti: Valona Tela