Tensionet me Kinën janë më të këqijat në 40 vjetët e fundit, tha ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, duke paralajmëruar për rrezikun e një sulmi aksidental midis dy vendeve.
Chiu Kuo-cheng i bëri komentet pasi Kina dërgoi një “numër rekord” të avionëve ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, për katër ditë rresht.
Tajvani e konsideron veten shtet sovran, por Kina e sheh atë si provincë të shkëputur.
Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin.
Avionët kinezë nuk kanë fluturuar deri në ishull, por Chiu paralajmëroi se ekziston rreziku i një “shkrepjeje të gabuar”.
Chiu gjithashtu tha se Kina mund të jetë në gjendje të pushtojë ishullin deri në vitin 2025.
Ai pranoi se Kina e ka tashmë kapacitetin për të pushtuar, por tha se një veprim i tillë do të bëhet më i lehtë në vitet e ardhshme. Ai nuk dha më shumë hollësi.
SHIKONI EDHE: Biden: SHBA dhe Kina do ta zbatojnë marrëveshjen për TajvaninTajvani është shkëputur nga Kina kur komunistët kanë marrë pushtetin në vitin 1949.
Disa aleatë perëndimorë të Tajvanit janë shprehur të shqetësuar me faktin që Kina po tregon hapur fuqinë e saj ushtarake, kohëve të fundit.