Kronologjia e tensioneve Kinë-Tajvan

Flamuj të Tajvanit. Fotografi ilustruese.

Tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u rritën për shkak të vizitës në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kina tha se kjo vizitë “cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial” të saj, teksa Pelosi shprehu solidaritetin amerikan me popullin tajvanez.

SHIKONI EDHE: Pelosi: Përcaktimi i Amerikës për të ruajtur demokracinë në Tajvan mbetet i hekurt

Në këtë tekst ju sjellim një kronologji të tensioneve midis ishullit vetëqeverisës të Tajvanit dhe fqinjit të tij, Kinës.

1949: Ndarja

Komunistët e Mao Zedongut morën pushtetin në Pekin në tetor të vitit 1949, duke mposhtur në luftën civile partinë nacionaliste Kuomintang të Chiang Kai-shek (KMT).

SHIKONI EDHE: Tensionet Tajvan-Kinë rrisin shqetësimet

Pas kësaj, nacionalistët e KMT-së u larguan në ishullin e Tajvanit dhe formuan Qeverinë e tyre në Tajpei në dhjetor të po atij viti, duke shkëputur kontaktet me Kinën.

Më 1950, Tajvani u bë aleat i Shteteve të Bashkuara, që ishte në luftë me Kinën komuniste në Kore. SHBA-ja dislokoi flotën e saj në Ngushticën e Tajvanit për të mbrojtur aleatin e saj nga ndonjë sulm i mundshëm.

1971: Pekini merr ulësen në OKB

Në tetor të vitit 1971, Pekini mori ulësen e Kinës në Kombet e Bashkuara, që më herët mbahej nga Tajpei.

Më 1979, Shtetet e Bashkuara zyrtarisht shkëputën raportet me Tajvanin dhe vendosën raporte diplomatike me Pekinin.

Uashingtoni shprehu mbështetjen për politikën “Një Kinë”, që thotë se Tajvani është pjesë e Kinës, por Pekini mban raporte tregtare dhe ushtrake me Tajpein.

SHIKONI EDHE: Biden thotë se SHBA-ja do të ndërhynte ushtarakisht nëse Kina e pushton Tajvanin

1987-2004: Përmirësimi i raporteve

Në fund të vitit 1987, banorëve të Tajvanit për herë të parë iu lejua që të vizitonin Kinën. Kjo mundësoi që familje të tëra të ribashkoheshin.

Më 1991, Tajvani shfuqizoi qeverisjen nën masa të jashtëzakonshme, duke i dhënë fund në mënyrë të njëanshme gjendjen e luftës me Kinën.

Bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palëve u mbajtën në Singapor dy vjet më vonë.

Por, më 1995 Pekini pezulloi bisedimet, në shenjë proteste ndaj vizitës në SHBA të presidentit të atëhershëm të Tajvanit, Lee Teng-hui.

Më 1996, Kina testoi raketa në Tajvan, me qëllim që të pengonte votuesit që të merrnin pjesë në zgjedhjet e para demokratike presidenciale të këtij ishulli.

Në zgjedhjet e vitit 2000, KMT për herë të parë humbi pushtetin në Tajvan. Në vitet pasuese, lidhjet ekonomike midis dy palëve u përmirësuan.

2005-2015: Kërcënime dhe bisedime

Në mars të vitit 2005, Pekini miratoi një ligj që autorizon përdorimin e forcës nëse Tajvani shpall pavarësinë.

Në prill të vitit 2005, kreu i KMT-së, Lien Chan, realizon një vizitë historike në Pekin për bisedime me udhëheqësin kinez, Hu Jintao.

Në vitin 2008, Kina dhe Tajvani rinisin bisedimet në nivelin e lartë pasi Ma Ying-jeou nga KMT-ja zgjidhet president, me një platformë me qasje miqësore ndaj Pekinit.

SHIKONI EDHE: Takim historik i presidentëve të Kinës dhe Tajvanit

Në vitin 2010, dy palët nënshkruajnë Marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës ekonomik dhe më 2014 Tajvani dhe Kina mbajnë bisedimet e para midis dy qeverive, që nga ndarja e ishullit.

2016: Përfundon ‘muaji i mjaltit’

Në janar të vitit 2016, Tsai Ing-wen, nga Partia për Përparim Demokratik – parti që tradicionalisht avokon për pavarësi nga Kina – u zgjodh presidente e Tajvanit.

Në qershor të po atij viti, Kina ndërpreu të gjitha komunikimet me Tajvanin, pasi Qeveria e re tajvaneze nuk pranoi që ta njohë politikën e Pekinit “Një Kinë”.

Në dhjetor të vitit 2016, Donald Trump, që sapo ishte zgjedhur president i SHBA-së, veproi në kundërshtim të politikës diplomatike prej dekadash të SHBA-së dhe zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten tajvaneze, Tsai.

SHIKONI EDHE: Liderja e Tajvanit: Nuk do t’i nënshtrohemi presionit të Kinës

Në janar të vitit 2019, lideri i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi se bashkimi i Kinës dhe Tajvanit është një çështje “e pashmangshme”.

2021: Tensionet SHBA-Kinë

Në vitin 2021 avionët e ushtrisë kineze kryen qindra fluturime në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Në tetor, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja do ta mbrojë Tajvanin nëse Kina e sulmon ishullin. Por, këto komente më pas u tërhoqën pjesërisht nga Shtëpia e Bardhë.

SHIKONI EDHE: Arsyet e rritjes së tensioneve midis Kinës dhe Tajvanit

Presidentja tajvaneze, Tsai konfirmoi se në Tajvan gjenden një numër i vogël i trupave amerikane për të ndihmuar në trajnimin e forcave tajvaneze.

2022: Tensionet rriten për shkak të vizitës së Pelosit

Më 23 maj, presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Perëndimit që të ketë një pozicion të fortë kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe të pengojë Kinën që të marrë me forcë Tajvanin. Ai përsëriti qëndrimin se SHBA-ja do ta mbrojë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez.

Më 2 gusht, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nisi vizitën në Tajvan, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës.

SHIKONI EDHE: Pelosi: Solidariteti me popullin tajvanez, më i rëndësishëm se kurrë më parë

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin në 25 vjetët e fundit. Ajo tha se vizita e saj në Tajvan tregon për përkushtimin e fuqishëm të SHBA-së ndaj ishullit.

Kina tha se këto veprime të SHBA-së në Tajvan janë “jashtëzakonisht të rrezikshme” dhe u zotua se do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në kundërpërgjigje të vizitës së Pelosit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku