Tensione mes dy superfuqive bërthamore, Indisë dhe Pakistanit

Vendi ku u krye sulmi vetëvrasës

India ka thënë se do të angazhohet për një “izolim të plotë” të Pakistanit pas sulmit vetëvrasës në Kashmir që la të vdekur mbi 40 pjesëtarë të sigurisë indiane.

Një grup militant islamik nga Pakistani e mori përgjegjësinë për sulmin.

Ministri Federal i Indisë, Arun Jaitley, tha se India do të ndërmarrë “të gjitha hapat e nevojshëm” të bllokojë Pakistanin prej komunitetit ndërkombëtar.

Ai theksoi se India do të kundërpërgjigjet pasi posedon “prova të pakundërshtueshme” për përfshirjen e Pakistanit në këtë sulm.

Ndërkaq, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, paralajmëroi grupin terrorist për pasoja të rënda.

“Dua t’iu them organizatave terroriste dhe mbështetësve të tyre, se kanë bërë një gabim të madh. Ata do të duhet të paguajnë një çmim të lartë për këtë. E siguroj popullin indian se fajtorët e këtij sulmi, përfundimisht do të marrin dënimin për këto veprime”, tha Modi.

Kashmir

India akuzon Pakistanin se ka dështuar të veprojë kundër grupit militant, i cili e ndërmori sulmin.

Në anën tjetër, zyrtarë pakistanezë thanë se sulmi përbën një “shqetësim të thellë”, por kundërshtuan akuzat për lidhje më sulmuesit vetëvrasës.

“Kundërshtojmë ashpër çdo insinuatë nga elementë të Qeverisë indiane dhe qarqet mediale, të cilat pa u zhvilluar një hetim e ndërlidhin sulmin me shtetin e Pakistanit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, lëshuan një deklaratë, ku i bën thirrje Pakistanit “t’i japë fund menjëherë ndihmës dhe strehimit të të gjitha grupeve terroriste që veprojnë në territorin e saj”.

Ky është sulmi më vdekjeprurës në rajon gjatë disa dekadave.

India dhe Pakistani kanë pretendime ndaj rajonit të Kashmirit që nga viti 1947 si dhe kanë zhvilluar dy lufta për këtë rajon.

Të dyja vendet posedojnë armë bërthamore.

Përgatiti: Kestrin Kumnova