Acari ‘mbërthen’ Kosovën

Prishtinë, 26 shkurt, 2018

Kosova është përfshirë nga temperaturat e ulëta me të cilat po ballafaqohet një pjesë e madhe e Evropës.

Reshjet e borës, ndonëse të një intensiteti më të ulët, të cilat kanë nisur që nga fillimi i kësaj jave, sipas meteorologëve do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së enjte.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron se temperaturat nga minus 14 deri në minus 16 gradë celsius.

Besim Aliu, nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se për herë të parë në statistikat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës janë regjistruar temperaturat më këtë nivel të ulët, në fillim të muajit mars.

“Gjatë natës parashihet që të ketë kthjellime dhe ulje të ndjeshme të temperaturave për këtë periudhë që jemi. Nesër hyjmë në muajin mars dhe temperaturat minimale do të regjistrohen nga minus 14 deri në minus 16 gradë celsius”, thotë Aliu.

Një person ecën nëpër sheshin e mbuluar nga bora në Prishtinë

Në anën tjetër, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se trafiku ajror është duke u zhvilluar normalisht.

Valentina Gara, zyrtare për informim në këtë aeroport, thotë se aeroporti është funksional dhe nuk është i mbyllur.

Ditën e martë, tha ajo, janë anuluar disa aterrime dhe fluturime nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës.

“Sot kushtet atmosferike lejojnë që të gjitha fluturimet të realizohen. Deri më tani të gjitha fluturimet janë realizuar sipas planit. Mbrëmë kanë qenë disa anulime për shkak të reshjeve të dendura të borës, të cilat kanë zvogëluar dukshmërinë” tha Gara.

Me gjithë temperaturat e ulëta dhe reshjeve të borës, asnjë rrugë në Kosovë nuk është bllokuar, por që ka rrugë të vështirësuara për qarkullim, kryesisht në zonat malore, ka thënë Skënder Gashi nga Ministria e Infrastrukturës.

“Të gjitha rrugët që janë kompetencë e Ministrisë se Infrastrukturës janë të qarkullueshme dhe trafiku zhvillohet në mënyrë normale. Në rrugët kodrino-malore ka borë më shumë, por megjithatë rrugët janë të hapura”, tha Gashi.

Një person ka shfrytëzuar këtë mot, për të skijuar në rrugët e mbuluara me borë, në një lagje në Prishtinë. 26 shkurt, 2018

Pavarësisht se rrugët janë të qarkullueshme, gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e qarkullimit të vështirësuar nëpër rrugët e Kosovës, ka pasur edhe aksidente, por që nuk kanë përfunduar me fatalitet.

Daut Hoxha zëdhënës në Policinë e Kosovës ka kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit dhe të kenë pajisjet dimërore.

“Mund të them se nuk ka pasur asnjë aksident me pasoja fatale, por ka pasur 15 aksidente trafiku më lëndime trupore dhe 28 aksidente kanë qenë me dëme materiale”, shprehet Hoxha.

Ndryshe, si pasojë e përkeqësimit të motit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim që sot (e mërkurë) të mos mbahet procesi mësimor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.