Televizioni shtetëror rus ndërpret fjalimin e Putinit

Presidenti rus, Vladimir Putin duke mbajtur fjalimin në Stadiumin Luzhniki.

Televizioni shtetëror rus ka ndërprerë papritur fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, teksa ai i është drejtuar audiencës në Stadiumin Luzhniki në Moskë.

Kremlini ka thënë se televizioni ka pasur probleme teknike për këtë shkëputje.

Ai e ka mbajtur këtë fjalim për të shënuar përvjetorin e tetë të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Aneksimi i Krimesë është dënuar nga Perëndimi dhe Ukraina, andaj edhe nuk e njohin si territor rus.

Fjalimi i Putinit është ndërprerë papritur dhe televizioni ka shfaqur disa këngë që janë kënduar në stadium.

SHIKONI EDHE: Kush është kriminel i luftës dhe kush e vendos këtë gjë?

Një pjesëmarrës i koncertit ka thënë se Putin e ka përfunduar fjalimin dhe e ka lënë skenën.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si "operacion special ushtarak".