Telekomi i Kosovës e ka shpallur të përfunduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh, kurse afati i skadonte pikërisht të martën, më 30 korrik.
Kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha në një konferencë për media tha se kontrata më Z-Mobile është ndërprerë. Deri te ky vendim, sipas saj, erdhi pas një periudhe gjashtë mujore të negociatave në mes Telekomit dhe kompanisë Z-Mobile në lidhje me kushtet e reja kontratës, por në fund palët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje.
Edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha se pas dështimit të negociatave, kontrata me Z-Mobile shpallet e përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual.
Ai ndërkaq ka njoftuar konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Z-Mobile, se për ta, nuk do të paraqitet asnjë problem.
“Të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) të mos bien në panikë, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) jemi duke punuar ngushtë të zbatojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë”, tha Istrefi.
Deri më tani, Z-Mobile nuk ka reaguar fare në lidhje me këtë vendim të Telekomit.
SHIKONI EDHE: Telekomi i Kosovës në betejë me falimentiminNë kundërshtim të vazhdimit të kësaj kontrate vazhdimisht kanë qenë edhe punëtorët e Telekomit, të cilët qe dy ditë kanë mbajtur grevë të përgjithshme.
Video: Punëtorët e Telekomit të Kosovës në grevë
Your browser doesn’t support HTML5
Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.
Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.
Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Z-Mobile, Telekomi i Kosovës obligohej t’i lëshonte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë euro në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.
Zyrtarë të Telekomit të Kosovës, muajin e kaluar thanë se kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile ka rezultuar me 104 milionë euro humbje për Telekomin, ndërsa 79 milionë euro fitim për Z-Mobile.
Në anën tjetër, ekspertë të kësaj çështje konsiderojnë se kontrata në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile është dashur të ndërpritet që kur kishte filluar të paraqes probleme financiare.
SHIKONI EDHE: Debate e polemika, por pa zgjidhje për shpëtimin e TelekomitHekuran Murati, ekspert për çështje financiare, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ndërprerja e kontratës është vendim i duhur, por i vonuar. Sipas tij, menaxhmeti i Telekomit e përmbush detyrën, vetëm atëherë kur të dorëzon padi tek organet përgjegjëse ndaj Z-Mobile për dëmet ekonomike që ka i ka shkaktuar kompanisë së Telekomit.
“Në rastin konkret çka mund të ndodh është se lënda e Z-Mobile duhet të dërgohet tek përmbaruesi, por për këtë Telekomi është dashur të kujdeset në mënyrë që të ngritë kundër padi ndaj Z-Mobile për dëmet ekonomike që i ka shkaktuar, gjë e cila ka qenë shumë lehtë të dëshmohet për shkak se Z-Mobile vazhdimisht i ka kërkuar Telekomit shërbime të cilat kanë paguar nën kosto të gjenerimit apo operimit”, tha Murati.
Telekomi i Kosovës dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend, por pas të gjitha këtyre mosmarrëveshjeve dhe dëmshpërblimeve, hyri në krizë financiare.
Për mundësinë e rimëkëmbjes se kësaj kompanie, Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, kurse fillimisht të hyjë në fazën e ristrukturimit.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.