Për shumë prej nesh, telefonat e mençur janë bërë pjesë e pandashme. Kalojmë orë të tëra me ta, duke kontaktuar miq, duke lexuar lajme, duke luajtur lojëra dhe duke shikuar video.
Në fakt, një sondazh ka treguar se një person e prek telefonin e tij mobil mesatarisht mbi 2,000 herë në ditë.
I gjithë ky kontakt do të thotë se telefonat mund të përmbajnë shumë baktere, mikrobe dhe viruse.
Shumë prej këtyre mikrobeve mund të mos jenë kërcënuese për jetën, por koronavirusi i pandemisë aktuale mund të jetë vdekjeprurës.
Dhe, përveç që është shumë ngjitës, koronavirusi është edhe i ashpër, pasi mbetet në ajër dhe në sipërfaqe për një kohë mjaft të gjatë.
Për sa kohë? Kjo ndryshon.
Një analizë e botuar më 17 mars në “The New England Journal of Medicine” ka treguar se virusi mund të mbetet në ajër deri në tri orë, në bakër deri në katër orë, në karton deri në 24 orë dhe në plastikë e çelik deri në 72 orë.
Për mbrojtje nga kontraktimi i koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje njerëzve jo vetëm që t’i lajnë shpesh duart, por edhe sipërfaqet me të cilat vijnë në kontakt. Telefonat e mençur bien në këtë kategori.
*Video: Larja e duarve shpëton jetë
Your browser doesn’t support HTML5
Pra, si duhet ta pastroni këtë pjesë të shtrenjtë të teknologjisë pa e dëmtuar atë?
Së pari, disa gjëra që nuk duhet t’i bëni.
Ekrani i një telefoni të mençur është i mbuluar me atë që quhet "veshje oleofobike". Kjo shtresë e hollë është krijuar për të mbajtur jashtë gjurmët e gishtërinjve dhe lagështinë.
Dezinfektuesit ose disa pastrues mund ta dëmtojnë atë. Mos i përdorni!
Atëherë, çfarë duhet të përdorni?
Apple së voni i ka përditësuar sugjerimet e pastrimit, duke këshilluar që të përdoren faculeta me alkool izopropil 70 për qind.
Alkooli thahet shpejt dhe fshin çdo mikrob në sipërfaqen e telefonit.
Ju gjithashtu mund ta fshini telefonin tuaj me një leckë, mundësisht një të butë. Edhe Apple, edhe Samsung e këshillojnë këtë metodë.
Por, nëse nuk keni faculeta ose lecka, çfarë duhet të bëni?
Për fat të mirë ekziston një alternativë e thjeshtë dhe efektive: sapuni dhe uji.
Së pari, mos e zhytni telefonin në ujë - edhe nëse është i qëndrueshëm ndaj ujit.
Merrni një copë lecke ose faculetë letre dhe shtoni sapunin në të.
Fshijeni telefonin me të dhe pastaj fshijeni me një leckë tjetër ose faculetë letre të lagur pak me ujë.
Pasi të jetë zhdukur sapuni, thajeni telefonin. Kjo është e gjitha.
Por, sa shpesh duhet ta pastroni telefonin? Kjo varet nga ajo se sa shpesh e përdorni.
Philip Tierno, profesor i mikrobiologjisë dhe patologjisë në Shkollën Langone të Mjekësisë në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se ai e pastron dy herë në ditë - "një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje".