Tekste shkollore jocilësore dhe pa mjete konkretizimi

Ilustrim.

Nxënësit, të cilët vijojnë mësimet në shkollat fillore publike në Kosovë, niveli i ulët që përfshin klasën e parë deri në të pestën, në një mesatare për 10 lëndë mësimore, kanë në përdorim më shumë se 15 tekste shkollore.

Siç tregojnë prindërit dhe mësimdhënësit, këtij numri të teksteve shkollore, nga praktika e deritashme, zakonisht gjatë vitit u shtohen edhe të paktën dy libra tjerë shkollorë, ngase sipas tyre, ka tekste aktuale që nuk janë cilësore dhe kërkohen alternativa tjera.

Prindër dhe mësimdhënës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë tregojnë për një plan-program të ngarkuar mësimor përgjatë një viti.

Shumë njësi mësimore, thonë ata, nuk mund të zhvillohen për shkak se shkollat apo klasat nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme dhe mungojnë mjetet e konkretizimit. Po ashtu, theksohet se nxënësit ngarkohen me shumë libra, por për shkak të mungesës së kushteve të zbatimit, ato nuk shfletohen asnjëherë në orët e mësimit.

Luani është prind i një fëmije, i cili ndjek mësimet në klasën e tretë në një shkollë publike në Prishtinë. Ai thotë se fëmija i tij, vetëm për një lëndë ka deri në tri tekste shkollore.

“Unë jam prind i një fëmije, i cili vijon mësimet në klasën e tretë. Si çdo vit shkollor edhe në këtë vit ajo ka marrë 14 libra. Për çdo lëndë janë ndarë dy apo tre libra. Si prind jam i shqetësuar për peshën dhe ngarkesën që e kanë fëmijët tanë. Ne si prindër çdo vit kemi ngritur këtë shqetësim, por e kam përshtypjen se sa më shumë po ngriten shqetësimet, edhe më shumë po i ngarkojnë me libra. Po ashtu, fëmijët janë të ngarkuar edhe me shumë detyra. Mendoj që është koha e fundit të rishikohen plan-programet mësimore”, thotë ai.

Librat për nxënësit e klasës së tretë

Ai thotë se që nga klasa e parë, çdo herë janë shtuar edhe një apo dy tekste shkollore nga mësuesja. Ndërrimi apo shtimi i teksteve me libra që edhe mund të mos jenë paraparë nga Ministria e Arsimit, zakonisht është bërë me qëllim të zëvendësimit të teksteve jocilësore, thekson ai.

V.S, mësuese në një shkollë fillore publike në Kosovë, tregon se janë shumë njësi mësimore, për të cilat nuk ka kushte për ta zhvilluar orën mësimore. Po ashtu, ajo thekson se janë tekstet shkollore të gjuhës shqipe që zakonisht i zëvendësojnë me tekste të tjera.

“Tekstet shkollore, me të cilat ne, si mësimdhënës, mbajmë orën mësimore, nuk përkojnë në shumë raste me mjetet e konkretizimit që ne kemi nëpër shkolla. Po ashtu, ka raste që ne si mësimdhënës, detyrohemi të kërkojmë nga prindërit që të blejnë tekste tjera shkollore që janë më të përshtatshme sesa ato që dërgohen nga Ministria e Arsimit. Në të vërtetë, plan-programi është mjaft i ngarkuar për klasat e ciklit të ulët. Ka shumë libra e që në disa raste janë të panevojshme”, thotë ajo.

Ajo e thekson një rast të një njësie mësimore në librin Edukata Fizike dhe Sportive për klasën e tretë. Sipas saj, ka njësi mësimore për mësimin e notit dhe të sporteve të tjera, derisa kjo nuk mund të realizohet, pasi që shkollat publike nuk kanë pishina noti.

Libri i Edukatës Fizike, ku nxënësit e klasës së tretë mësojnë për notin, ndonëse shkollat nuk kanë pishina që nxënësit ta praktikojnë këtë sport

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që nga viti 2008 të gjitha tekstet mësimore për shkollat fillore publike i jep falas.

Ekspertë të fushës vënë dyshimin se këto tekste shkollore në numër kaq të madh, po bëhen për shkak të përfitimeve të individëve të caktuar në institucionet kompetente.

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se interesat e individëve të caktuar në institucionet arsimore kanë bërë që tekstet shkollore të shumta e jo të duhura të mos zvogëlohen në numër, por të shtohen nga viti në vit.

Lexoni edhe këtë: Mbi 120 mijë thirrje për arsim më të mirë

“Problemi është shumë kompleks. Ka një kohë të gjatë që punët nuk kanë shkuar ashtu si duhet, për shkak të mungesës së politikave zhvillimore, interesave personale të njerëzve të cilët i hartojnë tekstet shkollore, por edhe të institucioneve që kanë përfitime të mëdha, të cilët hartojnë tekste të cilat edhe janë të dobëta edhe joprofesionalisht të duhura, gjë që ka çuar në kundërshtim me orientimin për zvogëlimin e mbingarkesave të nxënësve që ka qenë filozofi e kurrikulës së re”, thotë Hyseni.

Librat për klasën e katërt

Ai e quan të papranueshme që të fillohet zbatimi i kornizës së re të plan-programeve mësimore pa tekste të reja.

“Tani çdo risi që përdoret në Kosovë nuk është në funksion të avancimit të cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, por është në kundërshtim me këtë synim. Për këtë arsye, cilësia e arsimit në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më e ulët sesa që është tani”, thotë Hyseni.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk kanë dhënë sqarime lidhur me shqetësimet që janë paraqitur nga prindërit, mësimdhënësit dhe ekspertët e fushës.

Kosova vazhdon të përballet me cilësi të dobët të arsimit. Për nivelin jo të kënaqshëm në arsim, Kosova ishte alarmuar qysh pas rezultateve të dala nga Programi për vlerësimin ndërkombëtarë të nxënësve i njohur me shkurtesën ‘PISA’ në vitin 2016.

Në këtë test, Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Nxënësit nga Kosova në këtë test patën treguar rezultate jashtëzakonisht të dobëta.

Ndryshe, investimet e vogla vlerësohet se kanë ndikuar shumë në cilësinë e dobët në fushën e arsimit. Nga buxheti i Kosovës për vitin 2018, për sektorin e Arsimit janë ndarë jo më shumë se 260 milionë euro.