Nxënësit shqiptarë, por edhe të bashkësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut, nga viti i ardhshëm shkollor do të mësojnë edhe për muzikën, traditën, instrumentet dhe kompozitorët shqiptarë dhe të etniteteve tjera.
Ministria e Arsimit ka prezantuar ndryshimet në tekstet e arsimit fillor në lëndët e muzikës, me çka, sipas saj evitohen padrejtësitë që janë bërë dekada me radhë duke privuar nxënësit nga e drejta për të mësuar për kulturën e tyre.
Në tekstet e deritanishme, ata kanë mësuar për kompozitorë maqedonas, këngë të përkthyera nga kjo gjuhë, si dhe për autorë rusë e botërorë të muzikës, por jo edhe për historinë muzikore shqiptare, instrumentet tradicionale, e veçori tjera kombëtare.
“Përmbajtjet e reja kontribuojnë në avancimin e multikulturalizmit, njohjen dhe respektimin e diversiteteve. Secili nxënës do të mësojë kulturën dhe traditën muzikore të komunitetit që i përket, ndërsa do të kenë mundësi të mësojnë edhe për kulturën muzikore dhe traditën e bashkëqytetarëve të bashkësive tjera etnike, edhe atë duke dëgjuar dhe përpunuar këngë dhe kompozime, duke i njohur instrumentet si dhe karakteristikat tjera muzikore të atyre komuniteteve”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
SHIKONI EDHE: Kërkohen reforma në arsim në Maqedoninë VerioreTekstet e reja për ciklin e lartë të arsimit fillor janë hartuar nga ekspertë maqedonas e shqiptarë, nën mbikëqyrjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
“Nxënësit do të mësojnë dhe dëgjojnë këngë në maqedonisht, shqip, turqisht, gjuhën boshnjake, atë rome dhe serbe. Përmes këngëve të zgjedhura të këtyre popujve, ata do të mësojnë për kulturën e tyre, traditën dhe zakonet. Me këtë, ata do të vetëdijesohen se e bukura e shtetit tonë qëndron në llojllojshmërinë e kulturave”, ka deklaruar Zekirja Hasan nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Por, përveç muzikës, ndryshime duhet të ketë edhe në tekste tjera për shkak të lëshimeve të shumta si drejtshkrimore ashtu edhe përmbajtësore.
“Përmbajta e teksteve shkollore, përmirësimi i përmbajtjes së tyre do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen. Në tekstet shkollore, në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut nuk duhet të ketë hapësirë për krijim të tensioneve, përkundrazi komunitetet duhet të afrohen dhe të mësojnë më shumë njëri për tjetrin”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Arbër Ademi, duke njoftuar se miratimin e planeve edhe për tekste tjera shkollore.
Tekstet shkollore, në veçanti e librave të historisë, gjeografisë dhe shoqërisë në vazhdimësi ka nxitur reagime te shqiptarët për shkak të fyerjeve dhe shtrembërimit të fakteve dhe historisë.
Në disa raste janë evidentuar edhe gabime kur emri i Kosovës të jetë ngatërruar me flamurin e ndonjë shteti tjetër, apo në raste tjera kur Kosova ende figuron si pjesë e Serbisë.
Çështja e shtrembërimit të historisë ende është e freskët me enciklopedinë maqedonase, që kishte acaruar në masë të madhe raportet ndëretnike. Në të, mes tjerash, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ishin paraqitur si njerëz malor që ishin shpërngulur në shekullin e 16-të, duke dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Pas reagimet të shumta, ky libër ishte tërhequr nga shitja.