Të vaksinuarit po i mbijetojnë virusit  

Një punëtore shëndetësore duke u bërë gati të admnistrojë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Prishtinë, 29 mars 2021.

Në Kosovë pacientët e vaksinuar me një apo dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, të cilët janë infektuar me këtë virus, po tregojnë simptoma më të lehta të sëmundjes, sesa pacientët të cilët janë të pavaksinuar, dhe po i mbijetojnë virusit.

Kështu bëjnë të ditur drejtorë të klinikave në spitalet e përgjithshme në Kosovë.

Sipas të dhënave të spitalit të Gjilanit, Gjakovës dhe Klinikës Infektive në Prishtinë, deri më datën 13 gusht asnjë nga personat të cilët kanë qenë të vaksinuar dhe të infektuar me COVID-19, nuk kanë përfunduar me vdekje.

Arben Vishaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se në dy javët e fundit në këtë klinikë janë trajtuar shtatë pacientë të vaksinuar me një apo dy doza të vaksinës.

“Pacientët e vaksinuar kanë manifestuar sëmundje, në aspektin klinik në formë mesatare dhe formë të lehtë, ndonëse kanë qenë me sëmundje primare shumë të rëndë, por falë vaksinimit kanë mbijetuar”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Vaksina zbut simptomat e variantit Delta

“Vaksinimi ka një efekt të jashtëzakonshëm në rrjedhën e sëmundjes. Ndonëse vaksinimi nuk është 100 për qind që të mbron nga infeksioni, por duket se në masë të lartë të mbron që të mos zhvillohet forma e rëndë dhe të mos përfundojnë pacientët me vdekje”, shtoi Vishaj.

Sipas raportit të datës 14 gusht 2021, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) bën të ditur se 272 pacientë janë të shtrirë në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus, ku 196 prej tyre janë pozitivë me sëmundjen COVID-19.

Në spitalet e përgjithshme po trajtohen 120 pacientë me koronavirus.

Spitali i Gjakovës ka numrin më të madh të pacientëve apo 53 pacientë, pasuar nga ai i Gjilanit me 29 pacientë të shtrirë.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala tha për Radion Evropa e Lirë, se në një raport që kanë bërë katër ditë më parë, nga pacientët e hospitalizuar, katër kanë qenë të vaksinuar, një ka qenë me dy doza të vaksinës, tre të tjerë me një dozë.

“Këta pacientët janë të shtyrë në moshë. Gjendja është stabile. Kanë qenë në oksigjeno-terapi kohë pas kohe”, tha Shala, duke shtuar se pacientët e hospitalizuar të cilët nuk kanë marrë vaksinën, e janë infektuar me COVID-19, kanë një apel për publikun që të vaksinohen.

Edhe në spitalin e Gjilanit ka pasur raste të pacientëve të cilët kanë qenë të vaksinuar, e që më pas janë infektuar me koronavirus.

Ukshin Ismjali, drejtor në këtë spital, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë spital kanë pasur tre pacientë të vaksinuar, dy me dy doza të vaksinën dhe një me një dozë.

“Simptomat e tyre janë më të lehta sesa simptomat e pacientëve që nuk janë të vaksinuar. Për momentin kështu e kemi situatën. Mesazhi im është që vaksinimi është e vetmja armë në dorë për t’u mbrojtur nga COVID-19”, tha Ismajli.

SHIKONI EDHE: Si rrezikohen të pavaksinuarit nga varianti Delta?

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë informacione edhe për spitalet tjera ku po trajtohen pacientët me COVID-19, por drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi ka thënë se janë në mbledhje të të dhënave.

Vaksina të mjaftueshme

Deri më 13 gusht, në Kosovë janë administruar 579.510 doza të vaksinës kundër koronavirusit, kurse 203.056 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen.

Në Ministrinë e Shëndetësisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë doza të mjaftueshme të vaksinës kundër COVID-19.

“MSH-ja ka vaksina që të vaksinojë secilin qytetar të Republikës së Kosovës që shpreh interesim dhe duhet vaksinuar kundër COVID-19”, thuhet në një përgjigje me shkrim të kësaj ministrie.

SHIKONI EDHE: Dyshime nëse masat e reja mund t'i ulin rastet me COVID-19 

Në Kosovë numri i rasteve me COVID-19 ka shënuar rritje. Vetëm brenda tre ditëve janë shënuar 2.578 raste pozitive.

Ministria e Shëndetësisë, të enjten më 12 gusht, vendosi disa masa të reja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e masave, është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Bartja e maskës është bërë e obligueshme, përveç rasteve kur një person ec vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo në grup me jo më shumë se katër persona, apo gjatë ushtrimeve fizike.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se duke nisur nga dita e shtunë, 14 gusht, do të jetë aktive në realizim dhe zbatimin e këtyre masave.

“Policia do të ndërmarrë edhe masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit. Andaj, kërkojmë që bartja e maskës të bëhet në ato raste siç parashihen me vendimet e fundit në mënyrë që edhe një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.