Tetë nxënës dhe një rojë vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

Policia përpara shkollës "Vlladisllav Ribnikar" në Beograd, 3 maj 2023

Tetë nxënës dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën.

Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (13), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i dyshuari do të vendoset në një institucion psikiatrik, ndërsa shtoi se një ndër masat që Serbia do të ndërmarrë është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla.

“Nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre, por duhet të kërkojmë të gjejmë shkaqet, të shohim përgjegjësinë e secilit prej nesh, të kërkojmë zgjidhje ashtu që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur, të mos ndodhë më kurrë”, tha Vuçiq.

Ndër të tjera, Vuçiq hartoi një plan se si të të parandalohet një ngjarje e tillë në të ardhmen, teksa propozoi të vendoset moratorium për lëshimin, mbajtjen dhe mbajtjen e armëve në dy vitet e ardhshme.

Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, bëri të ditur se i dyshuari kishte një muaj që planifikonte sulmin dhe se ai vetë kishte raportuar se e kishte kryer krimin.

Konferenca për shtyp pas të shtënave në shkollën fillore në Beograd - nga e majta në të djathtë: kreu i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, ministri i Brendshëm, Bratislav Gashiq, ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq dhe ministri i Arsimit, Branko Ruzhiq.

Milliq, në konferencën për media, shtoi se i dyshuari kishte një listë të nxënësve që planifikonte t'i likuidonte, porse motivi i sulmit ende nuk dihet.

Ai tha se në sulm janë përdorur dy pistoleta - njëra me kalibër nëntë milimetra me tre fishekë dhe një pistoletë e kalibrit të vogël dhe se i dyshuari i kishte sjellë edhe katër kokteje molotov në shkollë.

“Me të mbërritur në shkollë, ai menjëherë nxori një armë nga çanta e tij dhe qëlloi rojen e sigurisë D.V.”, tha Milliq, i cili shtoi se sulmuesi më pas qëlloi për vdekje tre nxënëse që ndodheshin në afërsi.

Më pas, thotë Milliq, ai vazhdoi për në kabinetin e historisë, e ndërroi kornizën me municion dhe, pasi hyri në klasë, hapi zjarr ndaj mësuesit dhe nxënësve.

“Pastaj ka dalë nga klasa, ka shkuar në oborrin e shkollës dhe e telefonoi policinë”, tha Miliq, duke shtuar se sulmuesi u paraqit me emrin dhe mbiemrin e tij dhe raportoi se ishte përgjegjës për sulmin.

Foto gjatë arrestimit të të dyshuarit në Beograd, 3 maj 2023.

I pyetur nga gazetarët nëse janë të sakta informacionet që i kanë publikuar disa media se i dyshuari ka qenë viktimë e dhunës nga moshatarët e tij, ministri i Arsimit, Branko Ruzhiq, tha se ka informacione që i dyshuari i kishte pësuar lëndime në një shkollë private të aktrimit, që është jashtë sistemit arsimor të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, kishte përdorur armën e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se 13-vjeçari K. K nuk është penalisht përgjegjës.

“Sipas Ligjit për të miturit kundërvajtës dhe mbrojtjen juridike penale të të miturve, K.K. është penalisht i papërgjegjshëm sepse nuk ka mbushur moshën 14 vjeç”, njoftoi Prokuroria më 3 maj.

Në një konferencë për media të mërkurën, presidenti serb, Vuçiq, propozoi të ulet mosha për përgjegjësi penale nga 14 në 12 vjeç.

Nga ky institucion thanë se me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, babait të djalit të dyshuar, V. K. (48), i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, me dyshimin se ka kryer veprën penale “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Gjithashtu, siç thuhet nga Prokuroria e Lartë Publike, është urdhëruar që K.K t'i merret gjak për analiza toksikologjike, për të vërtetuar nëse ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit, narkotikëve apo substancave të tjera psikoaktive në momentin e kryerjes së krimit.

Prokuroria ka bërë të ditur se po heton të gjitha rrethanat e këtij rasti, pra se si e ka marrë armën i mituri i dyshuar, si dhe motivet e krimit.

Ministri i Brendshëm, Bratislav Gashiq, shtoi se sipas informacioneve ende jozyrtare, i dyshuari kishte shkuar në poligon për qitje me të atin.

“Ndaj babait do të merren masa ligjore”, ka thënë Gashiq.

Përveç babait, presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se është arrestuar edhe nëna e të dyshuarit.

Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të mbajnë tri ditë zie.

Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Sulmi vdekjeprurës në shkollën e Beogradit

Gazetarët e REL-it në vendin e ngjarjes raportojnë se nxënësit janë evakuuar përmes hyrjes dytësore të shkollës.

"Ishte e tmerrshme", ka thënë E.M., 14 vjeçe, pasi u evakuua nga shkolla."Kishim edukatë fizike, dhe unë isha poshtë kur dëgjova të shtëna të vazhdueshme, nuk ishte vetëm një e shtënë", ka treguar E.M., e cila u prit nga nëna e saj jashtë shkollës.

Mësuesit duke ngushëlluar nxënësit pranë shkollës fillore "Vladislav Ribnikar" në Beograd ku ndodhi sulmi vdekjeprurës.

Drejtoresha e Qendrës Klinike të Serbisë, Milika Asanin, tha se tre nxënës të moshës rreth 13-vjeçare dhe një mësuese janë pranuar në Qendrën Emergjente dhe gjenden në salla të operacionit shkaku i plagëve nga goditjet me armë zjarri.

“Një nxënës është transferuar në sallën e operacionit me plagë të rënda me armë zjarri në kraharor dhe në kokë, një nxënës është plagosur me armë zjarri në këmbën e majtë, studenti ka marrë plagë në stomak dhe në të dyja duart, ndërsa mësuesja është plagosur në stomak. dhe të dyja duart”, tha Asanin.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

"Të gjitha informatat relevante lidhur me tragjedinë dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ajo, do të bëhen të ditura nga Ministria e Brendshme, ndërsa institucionet kompetente shëndetësore do të njoftojnë për gjendjen e të plagosurve", tha përmes një deklarate Ministria e Arsimit e Serbisë.

Spitali ku janë pranuar nxënësit e plagosur nga sulmi në një shkollë në Beograd.

Sindikata e Punëtorëve të Arsimit në Serbi tha se "tragjedia në shkollën fillore është dëshmi se jetojmë në kushte ekstreme dhune".

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja është e gatshme ta ndihmojë Serbinë në çfarëdo mënyre që është e mundur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu ngushëllime për "të gjithë prindërit që humbën fëmijët e tyre në një sulm të tmerrshëm në shkollë sot në Beograd dhe lutemi për shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit".

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

"Në këtë moment të vështirë, mendimet tona janë me të plagosurit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë", thuhet në deklaratën e saj.

Zhelko Komshiq, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, i dërgoi ngushëllime presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në Twitter se "është e tronditur dhe e pikëlluar nga të shtënat" në shkollën "Vlladisllav Ribnikar" në Beograd.

Në Serbi, të shtënat në masë janë shumë të rralla, dhe vendi ka rregulla shumë të rrepta për përdorimin e armëve të zjarrit.

Incidenti i fundit i tillë ka ndodhur më 2013, kur një veteran i luftërave të Ballkanit nga vitet '90 qëlloi për vdekje 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.