Në 19 muajt e fundit e luftës së plotë, sulmet e Rusisë me artileri e kanë rrënuar qytetin e Donbasit, Avdivka. Pasi tashmë asnjë ndërtesë nuk ka mbetur e padëmtuar, pushtimi rus e ka ndryshuar aq shumë vendlindjen e Oleksiy Savkevychit, saqë ai s’e njeh më atë.
Savkevychen, bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tij i takova për herë të parë në Avdivka në prill të vitit 2021, një vit para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të Ukrainës. Luftimet në llogoren e vjetër të luftës mes separatistëve të mbështetur nga Moska dhe ushtrisë ukrainase mund të dëgjoheshin kohë pas kohe duke ushtuar në largësi, derisa përkthyesi profesionist dhe organizatori i festivalit të muzikës bisedoi me bashkëshorten vet, Svitlanan.
Ky çift bisedoi për mundësitë për t’u zhvendosur nëse druajtjet për pushtimin rus do të bëheshin realitet. “Fundjavën e kaluar ne e vizituam Svyatohirskun për të parë një vend ku ai mund të shkonte. Mbase ne mund të ikim atje?” tha Savkevych asokohe.
“Ne mund ta shohim “Zvicrën e Donbasit”, vazhdoi Svitlana, “Çfarë do të ndreqim me këtë? Ne nuk mund të vazhdojmë të ikim nga vendi në vend. Do të ngelim pa shtëpi, punë dhe miq”.
Në shkurt 2022, Savkevych dhe familja e tij ikën nga Avdivka, por derisa forcat ruse u afruan brenda rrezeve të artilerisë së Svyatohirskut, familja e kuptoi se i duhej ta largohej krejt nga Ukraina. Savkevych i dha lamtumirën bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët u nisën për Gjermani, dhe pastaj u kthye në vendlindjen e vet për të punuar si vullnetar.
“Më duhej të isha në Avdivka, nuk mund të shkoja diku tjetër”, tha 45-vjeçari.
Hera e ardhshme kur e takova Savkevychin ishte në prill të vitit 2022, pasi ai flinte në njërin prej bodrumeve komunale ku ishin strehuar banorët e mbetur të Avdivkës nga shpërthimet e vazhdueshme. Mburoja nëntokësore ishte tejet e dendur dhe nuk ofronte aspak privatësi. Ajri ishte i rëndë, uji pikonte nga tavani dhe muret ishin mbuluar me myk, por, për dallim nga tmerri në rrugët përmbi, mburoja mundësonte një mjedis të ngrohtë dhe intim.
Savkevych kishte ndryshuar. Buzëqeshja e tij e përhershme ishte rrëmbyer nga një pamje e një njeriu të dërrmuar. Ai ende po mësohej me jetën e re. “Të evakuosh njerëz nuk është aq lehtë si të organizosh festival muzike”, tha ai duke qeshur.
Savkevych i kaloi javët e para të pushtimit duke i ndihmuar njerëzit të ikin nga qyteti. “Tashmë 90 për qind të njerëzve kanë ikur nga Avdivka”, tha vullnetari asokohe.
Sot, rreth 1.600 banorë kryesisht të moshuar mbesin në Avdivka, duke jetuar pa ujë të pijshëm apo gaz. Para vitit 2022, ky qytet i kishte rreth 30.000 banorë.
Përveç organizimit të evakuimit nga Avdivka, Savkevych dhe disa kolegë të tij e themeluan një qendër humanitare në shkollën ku bashkëshortja e tij kishte punuar si bibliotekare dhe fëmijët e tij kishin mësuar.
“Ne i kemi ruajtur të gjitha ndihmat humanitare në një vend. Ky ishte gabim i madh”, tha Savkevych.
Në mars 2023, Rusia e sulmoi këtë shkollë me artileri, duke i shkatërruar të gjitha rezervat me furnizime humanitare.
Sot, Savkevych jeton në një shtëpi të shpartalluar që një mik ia lëshoi me qira rreth 14 kilometra larg Avdivkës. Por, pothuajse çdo ditë, ai dërgon me veturë ndihma humanitare në vendlindjen e tij.
Savlevych dhe kolegët e tij i ruajnë ndihmat në ndërtesa të padallueshme pranë shtëpisë së tij të përkohshme jashtë Avdivkës, në përpjekje për ta shmangur ndonjë sulm rus me artileri. “Ne i shpërndajmë furnizimet në dhjetë vende humanitare nëpër qytet. Në këtë mënyrë, kur një vend goditet, ne mund të reagojmë shpejt dhe të sigurohemi se të gjithë janë të ushqyer”, tha Savkevych.
“Kur disa organizata më të mëdha tentuan të shpërndajnë ndihma humanitare në Avdivka, zakonisht, ishte goxha kaos. Ato nuk e kanë infrastrukturën që e kemi ne dhe tani ato na lejojnë neve t’i bëjmë dërgesat për to”, tha ai.
Qyteti lindor është tani i rrethuar fuqishëm nga forcat ruse në tri anë dhe disa banorë vendorë tani jetojnë vetëm disa qindra metra larg pozicioneve të avancuara ruse. T’i furnizosh me ndihma humanitare ata njerëz është goxha rrezik, prandaj grupet e tjera kanë dështuar shpesh të arrijnë atje.
“Organizatat e mëdha si Kryqi i Kuq kanë shumë rregulla të sigurisë, ne nuk kemi”, tha Savkevych.
Përkundër luftimeve të pandërprera përreth Avdivkës, Moska ende nuk ia ka dalë ta pushtojë këtë qytet.
“Shumica e njerëzve janë të vjetër dhe më parë do të vdisnin në bodrumet e tyre sesa të përballeshin me pasigurinë e zhvendosjes brenda vendit. Është pothuajse e pamundur t’i bindesh ata të largohen”, theksoi ai.
Ai thotë se disa njerëz të mbetur në Avdivka do t’i prisnin trupat ruse “me lule”. Por, ai shtoi se “në fund, nuk mund të zgjedhim se kë ta ndihmojmë. Të gjithë janë njerëz dhe çdo person në nevojë duhet të ndihmohet”.
“Mbase, nëse do ta ndalnim dërgimin e ndihmave humanitare në Avdivka, njerëzit e mbetur këtu do të vendosnin përfundimisht për t’u larguar”.
“E dua Avdivkën. Megjithëse do të doja që njerëzit që kanë mbetur këtu të largoheshin, thellë në zemër jam i lumtur që dikush ende jeton në vendlindjen time”, shtoi ai.